Sylvinho: Nuk ka ndeshje miqësore, çdo sfidë ka rëndësi
Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, ka theksuar se ekipi është përgatitur maksimalisht për të marrë rezultat pozitiv kundër Gjibraltarit.
Shqipëria fillimisht do të përballet nesër me Gjibraltarin, ndërsa më 9 shtator në ora 20:45, do të luajë në “Air Albania” ndeshjen e radhës ndaj Letonisë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2026.
“Është e vështirë të përgatitesh për një ndeshje miqësore kur pak ditë më pas do të luash ndeshje zyrtare. Por kemi pasur një benefit, sepse kemi dy ditë më tepër për të rikuperuar. Futbolli duhet shijuar, çdo ndeshje është e vështirë dhe nuk besoj te ndeshjet miqësore, pasi gjithmonë ka rëndësi rezultati. Në fushë duhet të japësh më të mirën”, është shprehur Sylvinho.
Duke folur edhe për sfidën vendimtare që Shqipëria do të ketë ndaj Letonisë, trajneri brazilian ka thënë se fokusi pas miqësores do të jetë te formacioni që do të përballet me një kundërshtar të fortë dhe të organizuar.
“Letonia është skuadër shumë e fortë, fizike dhe e organizuar mirë. Pas ndeshjes me Gjibraltarin do të fillojmë të mendojmë për të. Është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe vendimtare për ne, por lojtarët janë mësuar të luajnë nën trysni. Ne e kuptojmë rëndësinë e saj dhe do të japim maksimumin”, ka shtuar ai.
Nga ana tjetër, mbrojtësi kuqezi Marash Kumbulla, ka thënë se skuadra ka analizuar gabimet që janë bërë në ndeshjet e mëparshme. “I kemi parë videot, kemi analizuar gabimet që kemi bërë në ndeshjen me Letoninë dhe Serbinë. Do t’i përmirësojmë. Kemi pasur kohë të punojmë këto ditë në Malaga”, është shprehur ai.
