Sylvinho fton Gripshin në Kombëtare si zëvendësues të Pajazitit
Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, Sylvinho, ka vendosur të thërrasë mesfushorin Nazmi Gripshi për dy ndeshjet e radhës, pas dëmtimit të Adrion Pajazitit.
Lajmi është konfirmuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.
“Gripshi do të bashkohet me ekipin gjatë ditës së mërkurë dhe do të jetë në dispozicion për ndeshjet ndaj Serbisë dhe Jordanisë”, thuhet në komunikatën e FSHF-së.
Kuqezinjtë kanë zhvilluar pasditen e sotme seancën e radhës stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”, në kuadër të përgatitjeve për këto dy sfida.
Sipas FSHF-së, të gjithë lojtarët ishin në dispozicion të trajnerit Sylvinho dhe morën ngarkesën e plotë të stërvitjes.
Në ndërkohë, mbrojtësi Enea Mihaj është bashkuar sot me ekipin, por është stërvitur i veçuar.
Seanca e radhës stërvitore do të zhvillohet nesër, po në “Shtëpinë e Futbollit”.
Gjithashtu, dy prej lojtarëve të Kombëtares do të dalin nesër para gazetarëve në konferencën për shtyp që do të mbahet në stadiumin “Air Albania”.
