Sylvinho dorëzon listën e lojtarëve në UEFA, “surpriza” është Simoni

Simon Simoni është futbollisti i vetëm që nuk do të jetë pjesë e listës prej 26 futbollistësh në Gjermani, pasi Sylvinho duhet të përfshinte vetëm 26 lojtarë, mes të cilëve tre portierë. Portieri 20-vjeçar nuk ishte i përfshirë në protokollin e sfidës mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, teksa në pankinë ndodheshin Etrit Berisha dhe Elhan Kastrati, të cilët së bashku me Thomas Strakoshën i cili zbriti si titullar përballë azerëve do të jenë portierët që do përfaqësojnë Shqipërinë në Euro 2024.

Gjithsesi, gardiani kuqezi do të udhëtojë me skuadrën dhe do të jetë pranë ekipit, ndonëse nuk do të jetë i gatshëm për t’u aktivizuar në ndeshjet e kësaj vere. Futbollisti i Eintracht Frankfurt, do të jetë në listën e pritjes në rast se ndonjë prej portierëve do të dëmtohet në ditët në vijim.

Simoni u përgatit me skuadrën në grumbullimin paraprak dhe mori sinjalet se stafi teknik e ka në konsideratë e natyrisht do të tentojë në të ardhmen për të qenë pjesë e një eventi të madh ndërkombëtar, si protagonist.

Lista e Sylvinhos përbëhet nga tre portierë, nëntë mbrojtës, tetë mesfushorë dhe gjashtë sulmues. Ndeshja e parë për kuqezinjtë do të jetë më 15 qershor në Signal Iduna Park të Dortmundit përballë Italisë. Kundërshtarët e tjerë në grupin B janë Spanja dhe Kroacia.

Lista e Shqipërisë për Euro 2024

PortierëEtrit Berisha, Thomas Strakosha, Elhan Kastrati;

MbrojtësBerat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Ardian Ismajli, Arlind Ajeti, Naser Aliji, Mario Mitaj, Enea Mihaj, Marash Kumbulla;

MesfushorëAmir Abrashi, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Klaus Gjasula, Qazim Laçi, Ernest Muçi, Ylber Ramadani;

SulmuesJasir Asani, Armando Broja, Mirlind Daku, Arbër Hoxha, Rey Manaj dhe Taulant Seferi;

Go to TOP