Syla: Gjenerali Hoppe vuri themelet e miqësisë me FSK-në

Në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes u mbajt ceremonia e pranim-dorëzimin të detyrës të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT). Me këtë rast, gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein ka marrë detyrën e drejtorit të NALT nga gjeneral brigade Joachim Hoppe. Ky i fundit ka shërbyer në këtë detyrë për një vit, dhe sipas drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ushtrinë kosovare.

Para largimit gjeneralin Hoppe e priti zëvendësministri i Ministrisë së Mbrojtjes, Shemsi Syla.

“Në këtë takim të ngrohtë e miqësor e falënderova gjeneralin Hoppe për kontributin e tij madhor në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në dhe përkushtimin e tij ndaj vlerave, traditës e historisë së popullit tonë”, shkruan Syla në Facebook.

“Në historikun e rrugëtimit tonë ushtarak, që nga paslufta, kemi pritur e përcjell miq të shumtë nga shtetet mike të NATOS. Ishte e veçantë ndarja nga miku ynë, gjenerali gjerman Hoppe, i cili, në shërbimin e tij njëvjeçar, vuri themele të forta miqësie jo vetëm me Ministrinë e Mbrojtjes e FSK- në, por me gjithë popullin shqiptar”, deklaron Syla.

Si rrallë kush, sipas tij, gjenerali Hoppe u interesua, krahas misionit ushtarak, të njohë për së afërmi historinë e dhimbshme e krenare të popullit tonë.

“Ai, disa herë vizitoi dhe kontaktoi Shoqatën e të Burgosurve Politik duke takuar ish të burgosurit politik dhe bashkë me ambasadorin gjerman vizituan burgun muze të Prishtinës, ku për dekada u bë terror i egër për zhdukjen e idesë së lirisë, duke shprehur inkurajimin e tij të thellë me vlerën më sublime të sakrificës shqiptare”, shkruan Syla.

Nga sot, sipas tij, gjeneral Hoppe do të shërbejë me mision jashtë Kosovës. “Kudo qoftë ai, do të mbetet një zë i fuqishëm i popullit tonë drejt arritjes së synimeve tona të zhvillimit e të prosporitetit me vlera demokratike perëndimore”, konsideron Syla, sipas të cilit, për të nderuar gjeneralin Hoppe pos shumë figurave ushtarake e politike kishte ardhur edhe kryeministri Albin Kurti.

Go to TOP