Sveçla: Presionet që po u bëhen qytetarëve serbë nga strukturat paralele ilegale të Serbisë, janë të dështuara

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se kanë dëshmi se strukturat paralele ilegale nga Serbia, po u bëjnë presion qytetarëve serbë të Kosovës që t’u bashkohen protestave, por sipas tij këto janë duke dështuar.

“Kemi dëshmi të presioneve nga strukturat paralele ilegale të Serbisë, që po u bëjnë qytetarëve serbë të Kosovës, për t’u bashkuar në protesta në Veri, por ato janë duke dështuar”, ka thënë Sveçla.

Ai në konferencën për media të dhënë të shtunën, ka shtuar se pavarësisht tendencave për manipulim të opinionit, nuk do të ndikojnë në asnjë mënyrë në zbatimin e vendimeve që janë në dobi të qytetarëve.

“Vendimi për t’u pajisur me targa të përkohshme është duke u zbatuar në të gjithë Kosovën. Kemi mbi 9 mijë targa të lëshuara”, ka shtuar Sveçla.

Përkundër bllokadave në këto rrugë ministri ka thënë se ka qarkullim nga qytetarët e Kosovës në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

“Në Jarinjë kanë qarkulluar 200 persona dhe në Bërnjak 260”, ka thënë Sveçla.

“Ftojmë qytetarët që të mos jenë pre e dezinformimeve”, ka thënë Sveçla.

Ndërkaq ka falënderuar njësitet policore për profesionalizmin e treguar në menaxhimin e situatës në Veri.

Go to TOP