MPB ka shpallur fituesin e tenderin 16 milionësh që lidhet me sigurinë kombëtare
Ministria e Punëve të Brendshme e ka shpallur fituese të tenderit që parasheh furnizimin e institucioneve shtetërore me licenca të produkteve Microsoft.
Fituese e kontratës me vlerë 16.7 milionë euro është shpallur kompania Infosoft Systems, me bazë në Tiranë.
Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, të publikuar në platformën e-prokurimi të premten, dy operatorë ekonomikë ofertuan në këtë procedurë. Ofertën më të lirë e dorëzoi kompania nga Maqedonia e Veriut, Komtrejd Distrivucija DOOEL.

Por, MPB e eliminoi atë nga gara me arsyetimin se kompania “është e papranueshme në aspektin e sigurisë kombëtare”.
Në një letër dërguar operatorit nga Maqedonia e Veriut, MPB tha se operatori ekonomik i përzgjedhur për këtë tender mund të ketë qasje të drejtpëdrejtë ose të tërthortë në sistemit dhe të dhëna të institucioneve me rëndësi vitale për shtetin.
“Për këtë arsye, Autoriteti Kontraktues është i obliguar të vlerësojë me kujdes të shtuar çdo rrethanë që mund të ndikojë në sigurinë, përfshirë besueshmërinë e operatorit ekonomik, kontrollin mbi personelin teknik, si dhe garancitë për mbrojtjen e të dhënave dhe sistemeve”, tha MPB në letrën ku e njoftoi kompaninë Komtrejd Distribucija për eliminim nga gara.
Kompania fituese, Infosoft Systems, aktualisht ofron shërbimet e licencave të Microsoftit për institucionet e Republikës së Kosovës, sipas një kontrate që MPB-ja kishte lidhur më 2023.
Në vitin 2023, ministria kishte lidhur kontratë afro 15 milionë euro përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit duke ftuar vetëm kompaninë “Infosoft Systems”.
Edhe atëherë, arsyetimi kryesor kishte qenë “siguria kombëtare”, pasi një nga partnerët e autorizuar të Microsoft-it operonte nga Serbia.
