Sveçla: Disa biznese nuk i plotësojnë standardet për mbrojtje nga zjarri

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka njoftuar për fillimin e inspektimeve te subjektet afariste për respektimin e masave parandaluese për zjarret.

“Me urdhëresën time, prej dy ditësh Agjencioni i Menaxhimit të Emergjencave me mbështetjen e Policisë së Kosovës ka filluar me inspektime në subjekte afariste ku ka frekuentim të lartë të qytetarëve, me qëllim të monitorimit të respektimit të masave parandaluese të mbrojtjes nga zjarri”, ka shkruar ai.

Ai ka njoftuar se inspektimet fillimisht janë bërë në Prishtinë dhe Pejë, por që do të vazhdohen edhe në komunat e tjera.

“Do të zhvillohen në vazhdimësi në gjithë Republikën e Kosovës, është konstatuar se në disa subjekte nuk është plotësuar standardi i sigurisë rreth masave për mbrojtje nga zjarri me ç’rast është dhënë afati për plotësimin e kërkesave ligjore për ambiente të sigurta për qytetarët”, ka shkruar Sveçla. /Kosova.info/


Go to TOP