Suspendohet një zyrtar policor në Prishtinë, dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), përkatësisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve, kanë rekomanduar mbrëmë suspendimin e një zyrtari policor të angazhuar në Njësinë e Komunikacionit Rrugor në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë.

Fillimisht, hetimet për këtë rast janë nisur nga Policia e Kosovës. Megjithatë, pas shfaqjes së dyshimeve për përfshirjen e një zyrtari policor, në përputhje me kompetencat ligjore janë përfshirë edhe hetuesit e IPK-së.

Sipas njoftimit, hetimet ndaj zyrtarit policor janë duke u zhvilluar për veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale”. Pas konsultimeve me prokurorinë kompetente, rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, hetuesit e IPK-së, në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin e rastit, pritet të ndërmarrin veprime të tjera hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij rasti. /Kosova.info/

Go to TOP