Superliga rikthehet me superderbin Sigal Prishtina-Trepça

Superliga e Kosovës në basketboll, rikthehet këtë mesjavë me ndeshjet e javës së 23-të.

Sfida kryesore e kësaj xhiro do të zhvillohet mes dy skuadrave rivale në basketbollin e Kosovës, Sigal Prishtinës dhe Trepçës. Këto dy skuadra së fundi u përballën në Gjakovë në finalen e Kupës, ku fituan mitrovicasit.

‘Xehetarët’ janë liderë me 20 fitore e dy humbje, derisa bardhekaltrit renditen në vendin e tretë me 14 fitore e tetë humbje. Mitrovicasit kanë 15 fitore radhazi në elitë, derisa kanë fituar tri takimet në Superligë ndaj prishtinasve në këtë edicion, që kërkojnë titullin e kampionit.

Të mërkurën në një sfidë interesante do të përballen Peja dhe Proton Cable Prizreni. Pejanët janë në vendin e dytë me 16 fitore e gjashtë humbje, kurse prizrenasit pas fitores ndaj Sigal Prishtinës janë të motivuar dhe kërkojnë fitoren e radhës, derisa renditen në vendin e shtatë me shtatë fitore e 15 humbje.

Istogu që po paraqitet vetëm me vendorë do të ndeshet me Golden Eagle Yllin, ku therandasit shihen favoritë. Istogasit kanë vetëm një fitore e 21 humbje, derisa Ylli numëron 13 fitore e nëntë humbje.

Kjo xhiro mbyllet me takimin mes Vëllaznimit dhe Bashkimit, që është shumë i vlefshëm, pasi kuqezinjtë janë në vendin e pestë me nëntë fitore e 13 humbje, kurse prizrenasit në vendin e gjashtë me tetë fitore e 14 humbje.

Superliga/Java 23

E mërkurë

19:00 Peja-Proton Cable Prizreni

19:00 Sigal Prishtina-Trepça

E enjte

17:00 Istogu-Golden Eagle Ylli

19:00 Vëllaznimi-Bashkimi

Go to TOP