Sulmet izraelite vrasin 42 njerëz në Gazë
Sulmet izraelite nëpër Rripin e Gazës i kanë vrarë 42 njerëz të mërkurën, pasi ushtria izraelite e ka vazhduar rrethimin e pjesëve të enklavës palestineze duke i përqendruar trupat përreth spitaleve dhe strehimorët e refugjatëve, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë dhe banorët.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë thanë se nuk do të ishin në gjendje të fillonin fushatën vaksinimit kundër poliomielitit në veriun e Gazës siç ishte planifikuar, për shkak të bombardimeve të ashpra, zhvendosjes masive dhe mungesës së qasjes.
Forcat izraelite filluan operacionin në veri rreth tre javë më parë për, siç thanë, ta parandaluar rigrupimin e luftëtarëve të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Operacioni është intensifikuar prej kur kreu i Hamasit, Yahya Al-Sinwar, u vra nga një sulm izraelit një javë më parë.
Aleatët e Izraelit, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë thënë se shpresojnë se vdekja e Sinwarit mund të ofrojë mundësi të re për paqe, duke ia mundësuar Izraelit të deklarojë se ka arritur disa nga synimet e tij kryesore në Gaza.
Por, deri tani, forcat izraelite duket se vetëm sa e kanë intensifikuar sulmin e tyre, veçanërisht në zonat veriore, ku Izraeli thotë se luftëtarët e Hamasit po rigrupohen në rrënojat e zonave që ishin ndër të parat që u sulmuan nga fushata e Izraelit vitin e kaluar.
Nga të paktën 42 persona të raportuar të vrarë nga sulmet ushtarake izraelite në të gjithë enklavën të mërkurën, 37 ishin në veriun e Gazës.
Spitalet në veri ose kanë ndaluar së ofruari shërbime mjekësore, ose funksionojnë me vështirësi për shkak të ofensivës. Spitalet ku mjekët kanë refuzuar urdhrat e evakuimit izraelit thonë se po u sosen transfuzionet e gjakut, si dhe arkivolet për të vdekurit.
“Ne i bëjmë thirrje botës, e cila ka dështuar të sigurojë mbrojtje dhe strehim për popullin tonë dhe nuk ka qenë në gjendje të sigurojë ushqim dhe ilaçe, të bëjë përpjekje për të dërguar arkivole për të rënët tanë”, tha Ministria e Shëndetësisë e Gazës në një deklaratë.
Më herët të mërkurën, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u bëri thirrje Izraelit dhe grupeve të mbështetura nga Irani kundër të cilave po lufton në Gazë dhe Liban, për të arritur armëpushim, pasi ushtria izraelite tha se e vrau një zyrtar të lartë të Hezbollahut.
“Tani është koha t’i shndërrojmë këto suksese në një sukses strategjik afatgjatë”, tha Blinken për gazetarë në Jordani të mërkurën, pak para nisjes për në Arabinë Saudite.
Blinken është në një turne në rajon për bisedime për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund luftës.