Stërvitja me Policinë e Kosovës e EULEX-in, KFOR: Demonstruam aftësi për t’u përgjigjur ndaj skenarëve të ndryshëm

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ai i BE-së, EULEX dhe Policia e Kosovës zhvilluan dje stërvitje të përbashkët.

KFOR-i thotë sot se stërvitja “Golden Saber 2024” “demonstroi një aftësi të zgjeruar për të kryer detyra të përbashkëta në përgjigje ndaj skenarëve të ndryshëm të sigurisë”.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas tha se përfundimi i kësaj stërvitjeje “paraqet një moment historik të rëndësishëm në bashkëpunimin afatgjatë ndërmjet këtyre tri entiteteve drejt sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën”.

“Përkushtimi, profesionalizmi dhe fryma e bashkëpunimit e shfaqur nga të gjithë pjesëmarrësit kanë qenë shembullore”, tha ai.

“Angazhimi ynë për të kontribuar në stabilitetin rajonal është i palëkundur. Së bashku do të vazhdojmë të japim kontributin tonë drejt një të ardhmeje të sigurt dhe stabile për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, tha komandanti i KFOR-it.

Go to TOP