Stana Gashi shtëpinë e ktheu në strehë të UÇK-së
Nëna Stanë, kështu e quajnë ushtarët e UÇK-së që shërbyen në zonën e Gollakut. Stana Gashi e cila jeton në fshatin Brusë të Lipjanit, gjatë periudhës së luftës, shtëpinë e saj e ktheu në shtëpi të Ushtrisë Çlirimtar të Kosovës. Nëna Stanë thotë se atëbotë, nuk paragjykohej askush për fenë që i përkiste ngase qëllimi i vetëm ishte liria e Kosovës. Veç që u shërbeu ushtarëve me bukë, nga 13 fëmijët që kishte, tre nga ta u rreshtuan në luftën për liri.
Flamuri dhe logoja e tij simbolizon një periudhë të lavdishme për Kosovën. I vendosur në oborrin e Ndue Gashit në Brus të Lipjanit, tregon se kjo shtëpi mban një histori më vete.
26 vite më parë ky objekt u bë strehë për qindra ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kalonin nëpër këtë zonë. Secili që i binte këndej, ndalej këtu.
Brenda saj, qëndron një zonjë 77 vjeçe e cila dy dekada më parë u kujdes për ushtarët. Stana Gashi dhe familja e saj u bë simbol i fuqishëm i kujdesit, sakrificës dhe ndihmës në kohë lufte.
“Krejt çka kemi pas i kemi dhanë”, kujton sot ajo.
Krenaria që ajo ndien për ndihmën e dhënë, buron nga përkushtimi i saj ndaj ushtarëve të atdheut.
“Me gjithë zemër sa kemi mundur, jo me thanë me tu dhimtë… Hallall u qoftë çka kanë kapërcye këndej krejt hallall e kanë…”, thekson nënë Satanë për RTK.
Nga duart e saj u ushqyen qindra ushtarë. Përveç ushtarëve, kjo shtëpi strehoi edhe refugjatë.
E veç burrit që e kishte pjesëtar të UÇK-së e që tani nuk jeton, edhe tre djemtë të tjerë të nënës Stanë nga 8 sa i ka, veshën uniformën e ushtrisë.
Filipi, Viktori e Fatmiri nuk kursyen asgjë për vendin. Ata që dje qëndruan këtu, nuk e harrojnë Stana Gashin.
“Pa marrë parasysh kur kanë ardhë, këtu shpija jonë e ka pas derën qelë ka hi këtu kanë pushu kanë ngrënë ushqim janë terë… Ka qenë vështirë ama na e kemi pas me zemër, e kemi pas për çlirimin e atdheut. Nuk kemi kursye kurrgjë. I kemi dhënë ato çka i keni pas, veç me u çlirua vendi”, ka thënë, Fatmir Gashi, ish-komandant i UÇK-së.
Naser Ahmeti, ish-komandat njësit për Malësinë e Vërbicës dhe Zhegovcit, ka thënë se shëpia ka qenë i mbushur me armatim me gjëra ushqimore për UÇK-në.
Kurse për Ejup Gashin, ish-komandant për fshatin Mramor shëpia ka qenë pikë e rëndësishme për ta.
“Kjo pikë ka qenë shumë e rëndësishme për neve për shkak të lëvizjeve që janë bër prej Mramorit, prej Zllashit, Marecit edhe kanë vazhduar për Zhegovc e Vërbicë. Thuajse çdo ditë ka pas lëvizje në këtë shtëpi”, ka thënë ai.
Për Ismet Sylejmani, ish-zëdhëns për Zonën e Karadakut, shtëpia e Gashëve është shtëpi heroin e kombit.
“Kanë kaluar mbi 300 ushtarë dhe asgjë s’ka munguar mirëpritja ka qenë fantastike këtu. Kjo meriton shumë, ne e kemi menduar dhe do ta propozojmë shtëpi muze. Shtëpi muze të UÇK, e kemi propozuar te presidentja që ta dekorojë nën Stanë. Nëna Stanë është e vetmja nënë katolike që ka ushqyer ushtar”, ka theksuar Sylejmani për RTK.
Megjithatë, kjo familje dhe kjo shtëpi, pavarësisht rolit dhe peshës historike që ka bartur, nuk është në gjendjen më të mirë.