Sadiku: Vaksina, mjeti më i mirë për ta parandaluar Covidin-19
Rritja e numrit të rasteve me Covid-19 në vendin tonë e ka shtuar edhe numrin e të interesuarve për t’u testuar nëpër qytetet e Kosovës. Për këtë arsye Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës ka vendosur që të hapë edhe një qendër të re testimi për qytetarët e saj. Kësisoj, nga sot, është hapur edhe qendra e testimit në QKMF-në nr 4 afër stadiumit të Flamurtarit.
Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku ka thënë se shtimi i rasteve ka bërë që të hapet kjo qendër.
“Sigurisht shtimi i rasteve ndikon edhe në shtimin e kërkesave për testim. Në javën e fundit vazhdimisht kemi pasur një qendër të hapur për testim në Qendrën e Studentëve, por numri i kërkesave ka qenë vazhdimisht mbi 300. Prandaj, përkundër mungesave në staf dhe pushimeve vjetor të tyre, ne kemi arritur që sot bashkë me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, ta hapim edhe një qendër të re testimi QKMF nr 4 në Xhemajl Ibishi”, ka theksuar Sadiku në “Info Plus” në RTK.
Ai tutje ka thënë se që nga 6 korriku kur ka filluar rritja e numrit të të infektuarëve çdo QKMF e ka një zyre që shërben për qytetarët që janë të infektuar me Covid-19.
Sadiku ka thënë se i kanë mobilizuar të gjitha forcat për ta menaxhuar sa ma mirë pandeminë, teksa ka thënë vaksinimi i qytetarëve ka ndihmuar që të ndryshojë mënyra e menaxhimit të pandemisë.
“Përkundër numrit të madh, ku kemi 10 mijë raste aktive në Kosovë, nuk janë marrë masa drastike. Rekomandimi i vetëm është që në ambientet e mbyllura të mbahen maskat dhe që qytetarët të vaksinohen. Rritja e vaksinimit ka ndikuar që të kemi një komoditet, sepse po shihet që forma klinike që kemi sot dallon me atë që ka qenë para një apo dy viteve. {shtë vërtetuar se tashmë qytetarët që janë të vaksinuar e kalojnë shumë më lehtë virusin, prandaj është shumë e rëndësishm që të vazhdohet me vaksinimin e qytetarëve”, ka shtuar Sadiku.
Ai tutje ka thënë se vaksina vazhdon të jetë mjeti më i mirë për parandalimin e këtij virusi, derisa ka thënë se kjo ka ndikuar edhe në numrin më të vogël të pacientëve me fatalitet.
“Varianti që është duke qarkulluar tani përhapet më shpejt por jep forma klinike më të lehta. Kjo pasi qëndrimi i virusit është më shumë në zgavrrën e gojës dhe nuk depërton në mushkëri. Prandaj, qoftë edhe një dozë e vaksinës nëse është marrë ofron një lloj imuniteti”, ka nënvizuar Sadiku.
Në nivel vendi në Kosovë janë vetëm 45 përqind të qytetarëve të vaksinuar kundër Covid-19, prandaj Sadiku ka kërkuar që të ketë një fushata më sensibilizuese, në mënyrë që njerëzit të vetëdijesohen për t’u vaksinuar për të mirën e tyre dhe të shoqërisë në përgjithësi.
