SPAK mbyll hetimet për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe Klodian Saliut, merren të pandehur Emiljano Shullazi dhe Lulzim Berisha

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur ditën e djeshme hetimet për vrasjet e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt. Në lidhje me këta vrasje, prokuroria ka dërguar për gjykim Emiljano Shullazin dhe Lulzim Berishën si dhe 5 të pandehur të tjerë, mes tyre dhe bashkëpunëtori i drejtësisë L.R. Ai akuzohet për veprat penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Tre të pandehurit e tjerë, Emiljano Shullazi, Indrit Taullau dhe Viktor Bajraktari akuzohen për Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose me shumë personave, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal. Plarent Dervishaj dhe Lulzim Berisha, dy prej të pandehurve, të cilët janë të shpallur në kërkim, akuzohen për veprat e “Vrasjes me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Ndërsa ndaj të pandehurit të shtatë, Indrit Rusi rëndojnë akuzat për “Vrasje me paramendim”, “Vrasjes me dashje”, mbetur në tentativë, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Kujtojmë që në nëntor të vitit 20211, SPAK shtyu me 3 muaj hetimet për 2 vrasjet e 17 viteve më parë, për shkak se ishte duke mbledhur ende prova për të pandehurit.

Vrasjet e Lamajt dhe Saliut

Biznesmeni Vajdin Lamaj gjeti vdekjen pas një atentati me eksploziv mesnatën e 28 shkurtit të vitit 2005, pas shpërthimit të ashensorit në pallatin ku banonte, i cili shpërtheu menjëherë sapo ai hipi. Vajdin Lamaj ka qenë ish-president i Federatës së Boksit dhe ish-zv/president dhe bashkëpronar i “Top Albania Radio”. Së bashku me biznesmenin gjeti vdekjen dhe miku i tij Artan Arsi. Pak muaj para se t’i bëhej atentati me pasoja fatale, Vajdin Lamaj i ka mbijetuar një tjetër atentati. Në tetor të vitit 2004 Lamaj u ka shpëtuar plumbave, ngjarje në të cilën mbetën të plagosur lehtë dy persona. Dy ditë para vrasjes së Vajdin Lamajt ka ndodhur një tjetër atentat. Në autostradën Tiranë-Durrës, segmenti Durrës-Maminas u qëllua me armë zjarri ndaj mjetit tip “Mercedez Benz” me të cilin udhëtonte Klodian Saliu. Saliu ishte pjesë e Bandës së Durrësit, e cila u nda në dy të tjera për shkak të kontradiktave. Këto dy banda të reja kryesoheshin njëra nga Klodian Saliu dhe tjetra nga Lulzim Berisha, duke u kthyer në rivale me njëra-tjetrën. Në atentatin ndaj Saliut mbeti i plagosur shtetasi Osman Truma. Operacioni për ekzekutimin e Lamajt dhe Saliut u shtri në tre qytete, Tiranë, Durrës dhe Vlorë. Deri në vitin 2020 hetimet e procedimeve për të dyja vrasjet ishin të pezulluara për shkak të moszbulimit të autorëve. Ishte dëshmia e L.R. ajo që çoi në zbulimin e dy vrasjeve.

Go to TOP