Sorensen në Prishtinë, Bislimi kërkon “heqjen sa më parë” të sanksioneve të BE-së
Besnik Bislimi, Kryeministër në detyrë i Kosovës, ka kërkuar “heqjen sa më parë” të sanksioneve të Bashkimit Evropian – që i kanë kushtuar Kosovës, për më tepër, edhe monetarisht mbi 600 milionë euro.
Bislimi këtë kërkesë ia shtroi ndërmjetësit të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, i cili ka ardhur në vizitë në Prishtinë në kuadër të procesit të BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi gjithashtu se duhet të trajtohet me urgjencë dhe vëmendjen e merituar çështja e personave të zhdukur me dhunë, në mënyrë që të fillohet edhe me punën e Komisionit të Përbashkët, gjersa e kemi një marrëveshje të dakorduar nga dhjetori i vitit të kaluar”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Ndërkohë shtohet se është diskutuar edhe për bllokimin nga Serbia të shpërndarjes së mjeteve për fermerët në Luginë të Preshevës.
“Ai foli edhe rreth dëmeve që Serbia po ia shkakton Kosovës vit pas viti me bllokimin e linjave të interkoneksionit, i cili po e rrit koston e transmisionit për energjinë jo vetëm në Kosovë, por edhe për rajonin. Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu edhe rëndësinë dhe domosdoshmërinë që sa më parë të ndodhë heqja e plotë e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës”, thuhet në njoftim.
