Sondazh: Imri Ahmeti (LDK) prin në Lipjan, Shukri Buja (PDK) ngushton diferencën – Ilir Qeriqi (VV) mban vendin e tretë
Një sondazh i përbashkët i realizuar nga Kosova.info dhe OJQ “Vullneti Rinor” tregon se gara për kryetar të Komunës së Lipjanit mbetet e hapur, megjithëse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ruan epërsinë me kandidatin aktual Imri Ahmeti.
Sipas të dhënave të sondazhit, të zhvilluar në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025, Imri Ahmeti prin me 40.07 për qind të mbështetjes, që përkthehet në rreth 300 votues nga 750 të anketuarit. Në vendin e dytë renditet Shukri Buja nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 29.9 për qind ose 224 votues duke ngushtuar ndjeshëm diferencën me kandidatin e LDK-së.
Në vendin e tretë qëndron Ilir Qeriqi i Lëvizjes Vetëvendosje me 20.1 për qind (151 votues), ndërsa Bashkim Budakova i AAK-së ka arritur 5.2 për qind, dhe Ardian Bytyqi nga Guxo mban 4.7 për qind të mbështetjes.

Sondazhi është zhvilluar gjatë periudhës 25 shtator – 2 tetor 2025, me 750 të anketuar në qytetin e Lipjanit dhe zonat përreth, përfshirë Magurën, Gadimen, Janjevën, Sllovin, Hallaqin, Smallushën dhe disa fshatra të tjera. Anketimi është kryer në terren dhe online duke respektuar standardet e transparencës, anonimitetit dhe përfaqësimit të barabartë gjinor e moshor.
Ky është sondazhi i parë i përbashkët i Kosova.info dhe OJQ “Vullneti Rinor”, si pjesë e një serie matjesh të opinionit publik për zgjedhjet komunale të vitit 2025.
Rezultatet tregojnë se Imri Ahmeti ruan një avantazh të qartë me mbi 40 për qind mbështetje duke reflektuar stabilitetin e elektoratit tradicional të LDK-së në Lipjan. Shukri Buja nga PDK-ja vjen menjëherë pas, me një rritje të dukshme krahasuar me zgjedhjet e kaluara, ndërsa Ilir Qeriqi nga Vetëvendosje mban një përkrahje solide në zonat urbane dhe në mesin e të rinjve.
Ndërkohë, Bashkim Budakova (AAK) dhe Ardian Bytyqi (Guxo) kanë përqindje më të ulëta, por konsiderohen zëra aktivë në fushën lokale dhe mund të ndikojnë në konfigurimin e raundit të dytë.
Sipas analistëve të Kosova.info, nëse trendi aktual vazhdon, Lipjani pritet të shkojë në balotazh mes LDK-së dhe PDK-së, ndërsa Vetëvendosja mund të luajë rol vendimtar në përcaktimin e fituesit. /Kosova.info/
