Kurti nga Malisheva: Fitorja e Valon Hotit është fitorja e Republikës së Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur sot tubimin zgjedhor në Malishevë, ku qytetarëve iu bë thirrje që më 12 tetor të votojnë për kandidatin e kësaj partie për kryetar komune, Valon Hoti. Në këtë tubim mori pjesë edhe kryeministri në detyrë dhe kryetari i VV-së, Albin Kurti, i cili theksoi se me Valon Hotin në krye të komunës, Malisheva do të ketë zhvillim të ri, projekte për rrugë, ujësjellës dhe mbështetje të qëndrueshme për bujqit.

“Malisheva është mishërim i qëndresës dhe sakrificës. Ka dhënë bij e bija për liri, ka dhënë gjak e nder për Kosovën. Është e padrejtë që për kaq vite është lënë pas nga korrupsioni dhe paaftësia. Kjo padrejtësi përfundon më 12 tetor, me fitoren e Valon Hotit. Fitorja e Valon Hotit është fitorja e Malishevës, e fitorja e Malishevës është fitorja e Republikës së Kosovës”, deklaroi Kurti para qytetarëve.

Kreu i VV-së u bëri thirrje qytetarëve të Malishevës që të dalin masivisht në zgjedhjet e 12 tetorit dhe të votojnë për Valon Hotin dhe listën e kandidatëve për Asamblenë Komunale të kësaj partie.

Nga ana tjetër, kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Malishevës, Valon Hoti, tha se do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe premtoi zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë të pijshëm.

“Sot Malisheva po zgjohet, po i thotë mjaft keqqeverisjes dhe harresës. Me besim të ndërsjellë do ta kthejmë Malishevën në krenari, dinjitet dhe zhvillim. Besatohem me ju dhe besën do ta mbaj. Asnjë shtëpi pa ujë, asnjë familje pa këtë të drejtë themelore”, tha Hoti.

Tubimi u shoqërua me momente emocionuese, kur një qytetar nga Bellanica i vendosi në kokë kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, plisin e tij në shenjë respekti dhe mbështetjeje.

Zgjedhjet e rregullta lokale në Kosovë do të mbahen më 12 tetor 2025. /Kosova.info/


Go to TOP