Sllovakia mban zgjedhjet presidenciale

Sllovakët votojnë të shtunën në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale në të cilat garon kampi pro Moskës kundër atij pro Kievit, meqë brenda Sllovakisë ekzistojnë pozicionime të ndryshme për luftën në Ukrainën fqinje.

Kryetari i Parlamentit Peter Pellegrini, dhe ish-ministri i Jashtëm liberal, Ivan Korcok, që përkrahet prej opozitës, janë kandidatët kryesorë në mesin e nëntë garuesve në total.

Ndonëse pozita e presidentit në këtë shtet është ceremoniale, presidenti sllovak ratifikon traktatet ndërkombëtare, emëron gjyqtarët dhe është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura.

Kreu i shtetit mund të përdorë edhe veton për ligjet e miratuara prej parlamentit.

Pellegrini përkrahet prej kryeministrit popullit Robert Fico, i cili e ka vënë në pikëpyetje sovranitetin e Ukrainës, në kuadër të disa komenteve që ka bërë për luftën e Rusisë ndaj atij shteti.

Korcok, në anën tjetër, është mbështetës i madh i Ukrainës, sikurse presidentja në shkuarje Zuzana Caputova.

Caputova njihet si kritike e Qeverisë, e cila ka vendosur të mos garojë për një mandat të dytë.

Sondazhet e kryera së fundi kanë treguar se gara do të jetë e ashpër në këtë vend me 5.4 milionë banorë, anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Megjithatë, një rreth i dytë zgjedhjesh duket i pashmangshëm, pasi sondazhet tregojnë që asnjëri kandidat nuk pritet të fitojë më shumë se 50 për qind të votave.

Go to TOP