Skena të pabesueshme nga Austria: Borë deri në bel, makina dhe shtëpi të varrosura

Ajri polar i ftohtë dhe i lagësht është përhapur në një pjesë të madhe të Evropës dhe temperaturat kanë rënë nën 10 gradë në shumë vende. Në Alpet austriake, ku prej ditës së djeshme bie vazhdimisht borë, lartësia e mbulesës së dëborës në disa vende i ka kaluar 80 centimetra.

Në rrjetet sociale janë shfaqur pamje të pabesueshme nga Alpet Lindore, konkretisht nga Obertaurn, ku bora ka groposur pothuajse tërësisht shtëpitë dhe arrin deri në bel. Makinat janë mbuluar tërësisht nga bora.

Që prej ditës së djeshme bora ka filluar të bjerë në lartësitë 1500 metra mbi nivelin e detit, por kufiri i reshjeve të borës ka zbritur gradualisht në 1100 metra. Në orët e mbrëmjes, bora filloi të bjerë tashmë në 900 metra dhe lokalisht në 700 metra mbi nivelin e detit, duke mbuluar qytetet alpine dhe duke mos ndalur së rëni.

Një front i ftohtë të premten shkaktoi temperatura të ulëta rekord për këtë periudhë të vitit edhe në Zvicër, gjë që çoi në mbylljen e qafave malore. Instituti Federal për Meteorologji dhe Klimatologji (MeteoSwiss) njoftoi se sot vija e borës ishte midis 1200 dhe 1500 metra. Sipas parashikimit të MeteoSwiss, deri në mbrëmjen e sotme pritet të ketë edhe pesë deri në 15 cm borë.

Go to TOP