Sindikalistët takojnë ministrin Sveçla, marrin mbështetje për policinë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u ka premtuar sindikalistëve të policisë, se Qeveria do të angazhohet në ngritjen e mirëqenies së çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe përmirësimin e kushteve të punës. Kështu deklarojnë përfaqësuesit e sindikatës nëpërmjet një njoftimi për media, pas takimi që ata kanë pasur me ministrin Sveçla, e ku ishte i pranishëm edhe drejtori i përgjithshëm, Gazmend Hoxha.

Në këtë takim u diskutua për situatën aktuale, gjendjen ekonomike të pjesëtarëve të PK-së, si dhe për kushtet e punës në Policinë e Kosovës, njofton sindikata e policisë.

Sipas kësaj të fundit, takimi karakterizohet si përmbajtjesor dhe konstruktiv.

“Ministri Sveçla shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me Sindikatën e Policisë së Kosovës, menaxhmentin e Policisë së Kosovës dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme, për trajtimin e kërkesave të paraqitura me shkrim, duke synuar ngritjen e mirëqenies së çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës dhe përmirësimin e kushteve të punës”, thuhet në njoftimin e sindikatës.

Sindikata e Policisë thotë se gjithmonë ka përkrahur dialogun social me Qeverinë e Kosovës dhe përfaqëson të gjithë punonjësit e Policisë së Kosovës. “Në takim u trajtuan edhe çështje të tjera të rëndësishme për përmirësimin e kushteve dhe mirëqenies në Policinë e Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit të sindikatës. /Kosova.info/

Go to TOP