Shtyhet gjyqi për pronën milionëshe të uzurpuar në Hajvali

Procesi gjyqësor i paraparë për t’u mbajtur sot (e mërkurë) në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i cili është një nga rastet më eklatante të uzurpimit të pronës para 22 viteve në Hajvali të Prishtinës është shtyrë me vendim të gjyqtares Kosovare Musliu.  

Kjo e fundit ka thënë se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës së sotme dhe bie aktvendim se seanca nuk do të mbahet, për shkak të ndryshimit të statusit jetësor për të paditurin Hajrush Bajrami dhe të paditurin tjetër Vehbi Pacolli, për të cilin kishte vërtetim mjekësor se ka ndërruar jetë.

“Gjykata konstaton se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës së sotme dhe bie aktvendim se seanca e sotme nuk do të mbahet, për shkak të ndryshimit të statusit jetësor për të paditurin Hajrush Bajrami, për të cilin palët do t’i njoftoj me kohë. Ndërsa për të paditurin Vehbi Pacolli, për të cilin sot u deklarua se i njëjti ka ndërruar jetë, Gjykata sipas detyrës zyrtare do t’i drejtohet Agjencionit të Regjistrimit Civil, për vërtetimin e statusit jetësor për të njëjtin. Për rrjedhjen e shqyrtimit gjyqësor në këtë çështje juridike gjykata do t’i njoftoj palët me procedurë më kohë”, ka thënë gjyqtarja Kosovare Musliu.

Musliu, drejtuar avokatit të të pandehurve, Avni Gjakova, u shpreh se Gjykatës i duhet autorizim në formë të shkruar për t’i përfaqësuar të paditurit, pasi që i njëjti kishte në formë të shkruar në lëndë vetëm një autorizim.

Avokati Avni Gjakova, në mungesë të autorizimit të paditurve, kërkoi nga gjykatësja që sot të paditurit që ishin në seancë të autorizonin atë gojarisht.

Prona milionëshe është blerë në vitin 2002 nga një shqiptar që jeton në diasporë dhe vetëm disa muaj pas blerjes së saj, kur blerësi ka shkuar në diasporë, aty kanë filluar ndërtimet ilegale. Pretendohet se gjitha këto ndërtime janë bërë në dijeni të Komunës së Prishtinës kurse uzurpatorët pos ndërtimit të shtëpive në pronën e huaj kanë bërë edhe shit-blerje të trojeve brenda parcelës. 

Procesi gjyqësor për këtë rast është zhagitur për më se dy dekada, duke i lënë hapësirë ndërtimeve në pronën e uzurpuar. /Kosova.info/

Go to TOP