Shtrenjtimi i energjisë elektrike nga ZrrE nuk i prek bizneset

ZrrE ka miratuar sot tarifat e reja për energji-elektrike, ku konsumatorët shtëpiakë do të kenë shtrenjtim të energjisë-elektrike nëse shpenzojnë mbi 800 kilovatë në orë.

Por për bizneset s’do të ketë blloqe tarifore.

“Të gjithë konsumatorët komercialë dhe konsumatorët shtëpiakë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë do të kenë zero rritje”, u tha në takimin e bordit të ZrrE-së, duke përmendur se rreth 20 përqind e konsumatorëve e tejkalojnë këtë konsum.

Konsumatorët të cilët shpenzojnë mbi 800 kilovatë energji elektrike do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.

Kurse për konsumatorët të cilët shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë, tarifa e lartë do të jetë 7 cent, kurse e ulëta 3 cent.

Duke filluar nga 1 tetori deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në ora 07:00.

Ndërsa nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në ora 08:00.

Sipas ZRRE-së, bllok-tarifa nuk është diskriminuese pasi “zbatohet njëtrajtësisht për të gjithë konsumatorët”.

Go to TOP