Shteti pa zbatim të ligjeve i kthyer në anarki!

Shkruan: Florim ZEQA

Në kohën kur gënjeshtra dhe mashtrimi janë bërë standard i jetës së politikanëve, thënja e së vërtetës është akt revolucionar, pasi askush nuk është më i rrezikuar dhe urryer sesa ai që e thotë të vërtetën!

Politikanët gënjeshtarë kronik dhe patologjik

Përvoja e tri dekadave të pluralizmit politik na ka mësuar se ndryshimin politik në një vend nuk e sjellin partitë e skenës politike parlamentare dhe as elitat politike, përkatësisht kryetarët e partive politike, por e sjellë populli, e sjellin forcat progresive intelektuale dhe atdhetare të shoqërisë sonë.

Gënjeshtarët janë të llojeve dhe niveleve të ndryshme, por më të sofistikuarit dhe më të paskrupullt janë gënjeshtarët e fushës së politikës, të cilët në kohë të fushatave zgjedhore i përdorin të gjitha mjetet propagandistike për mashtrimin dhe grabitjen e votës së qytetarëve.

Pra, gënjeshtarët më kronik dhe patologjik i kemi në fushën e politikës, dhe atë në të gjithë krahët e politikës, të cilët, të njëjtat gënjeshtra i përsëritin nga njëra palë zgjedhje në tjetrën dhe pa u skuqur fare para qytetarëve të vendit.

Pra, politikanët e papërgjegjshëm gënjeshtrën e kanë kthyer në filozofi të mashtrimit të qytetarëve, popullin në subjekt të mashtrimit, ndërsa pushtetin në mjet të pasurimit të tyre.

“Lufta” e humbur kundër pirjes së duhanit në hapësirat publike

Ligji Nr. 04/L-156, i datës 04 prill 2013 kundër pirjes së duhanit në hapësirat publike i miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, jo vetëm që nuk respektohet, po injorohet në tërësi nga pronarët e lokaleve dhe qytetarët.

Edhe pse po bëhen 11 vite nga miratimi i ligjit kundër pirjes së duhanit në hapësirat publike, ligji nuk u respektua pothuajse asnjëherë nga asnjë qeveri, përjashto periudhat “vetëdijësuese” disa javore, ku zakonisht pas disa javësh inspektim e mbikëqyrje, duhani gjithmonë kthehej në hapësirat publike.

Përgjatë pushimeve tre javor në vendlindje, fati e deshi që disa herë të jem prezent në disa nga lokalet e kryeqytetit, në qytetin tim të lindjes dhe shumicës së qyteteve anë e mbanë Kosovës.

Kudo që hyra në lokalet publike e gjeta tym e mjegull të shkaktuar nga duhanpirësit aktiv. Por, e keqja e madhe është se pasojat e tymosjes i vuajnë duhanpirësit pasiv, të cilit e thithin tymin e kontaminuar, të dalë nga goja dhe hundët e duhanpirësve aktiv.

Situata e krijuar në lokalet publike të krijon përshtypjen e një anarkie totale, pasi nuk funksionon ligji dhe mungon prezenca e inspektorëve shtetëror dhe lokal në vend të ngjarjes ku ndodhin abuzimet e mëdha me ligjin në fuqi kundër pirjes së duhanit.

Kur dikush dëshiron të shpreh atë që ndjen dhe dëshiron, por nuk mundet, ngase nuk e lejojnë të tjerët është krim! Këtë realitet të hidhur e kuptova krejt rastësisht nga biseda me një mik timin gjatë pushimeve në vendlindje. Rrëfimet e mikut ishin aq prekëse dhe tronditëse, saqë gjatë dëgjimit të tregimeve më rrëqethej trupi nga trishtimi nga përjetimet e mikut.

Shteti pa zbatim të ligjeve kthehet në anarki, ndërsa demokracia në diktaturë!

Go to TOP