Shqiponja mposht sërish Samadrexhën, një fitore larg titullit

Shqiponja është një fitore larg titullit të kampionit të Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.

Të shtunën mbrëma në Gjakovë, Shqiponja e mposhti Samadrexhën në finalen e dytë të plejofit me rezultat 26:22.

Shqiponja kishte fituar edhe në Samadrexhë dhe tani i duhet edhe një fitore për t’u shpallur kampione.

Ndeshja nisi me epërsi 2:0 të mysafireve. Më pas Shqiponja ktheu lojën në të mirë të saj dhe krijoi epërsi deri në katër gola në pjesën e parë (16:12). Pas pjesës së parë rezultati ishte 16:14.

Në pjesën e dytë skuadra gjakovare u shkëput tri herë në pesë gola, derisa Samadrexha u afrua më së shumti në dy gola.

Alma Nivokazi i shënoi gjashtë gola për Shqiponjën. Pesë i kishte Orgesa Gola, kurse Ana Carolini Gonçalves dhe Juleidt Lourençao i shtuan nga 4.

Fitoren me pritje të shumta e ndihmoi Thayline Queiroz.

Tina Hetemi ishte më efikasja te Samadrexha me tetë gola. Amanda Abreu i realizoi katër, kurse u shqua edhe portierja Karolliny Costa Maia.

Ndeshja e tretë do të luhet në mesjavë në Samadrexhë. /Kosova.info/

Go to TOP