Shqetësimet e për ujin e pijes në Deçan, Ramosaj thotë se gjendja është nën kontroll

Të reshurat para disa dite në komunën e Deçanit, kanë shkaktuar turbullim të ujit të pijes në disa fshatra të kësaj komune, gjë që ka shqetësuar qytetarët.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar dje se me kërkesë të ndërmarrjes regjionale “Hidro-Drini” në Pejë, janë marrë mostra të ujit të pijes nga disa fshatra të Deçanit për kryerjen e analizave.

Lidhur me këtë, kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj ka njoftuar se nuk ka nevojë për shqetësim pasi “gjendja është nën kontroll”.

“Në komunën e Deçanit ditët e fundit ka pasur reshje të shpeshta të shiut dhe meqë komuna jonë para një viti është përballur me një valë të madhe të helmimeve të qytetarëve nga uji i pijes, për shkaqe sigurie sot në mëngjes i jam drejtuar IKSHKP-së, Insitutit Rajonal në Pejë dhe Ndërmarrjes Rajonale Hidrodrini në Pejë me kërkesën për Analiza të ujit të pijes. I lus qytetarët që mos të shqetësohen sepse gjendja është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik”, thuhet në postimin e Ramosajt.

Ndryshe, MSh dje ka njoftuar se janë bërë analizat fiziko-kimike dhe se nesër e pasnesër do t’i kenë analizat bakteriologjike të këtyre mostrave.

MSH thotë se nuk ka vend për shqetësim dhe se nesër bashkë me përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë, zyrtarë të MSH-së do të jenë në Pejë, te qendra rajonale e IKSHPK-së dhe në Deçan ku do të takohen me strukturat e pushtetit lokal dhe drejtues të QKMF-së.

Kujtojmë se në korrik të vitit të kaluar mbi 1500 qytetarë në QKMF në Deçan kishin kërkuar ndihmën mjekësore e në mesin e tyre edhe 51 fëmijë, si pasojë e helmimit nga uji i pijes.

Lidhur me këtë rast deri tash Prokuroria Themelore e Pejës, ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë rajonale “Hidrodrini”.

Comments

Be the first to comment on this article

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Go to TOP