Shpërthim i konfirmuar i “Murtajës së Ruminantëve të Vegjël” në Landovicë – AUV vendos masa emergjente në gjithë Kosovën
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar sot, më 3 korrik 2025, shpërthimin e sëmundjes shumë ngjitëse Peste des Petits Ruminants (PPR), e njohur si Murtaja e Ruminantëve të Vegjël, në një fermë në fshatin Landovicë, Komuna e Prizrenit.
Pas pranimit të njoftimit për dyshimet fillestare, ekipet inspektuese të mjekësisë veterinare janë mobilizuar menjëherë dhe kanë vendosur masën e kufizimit të lëvizjes në fermën e dyshuar. Janë marrë mostrat për analizë, të cilat mëngjesin e sotëm janë konfirmuar pozitive për PPR nga Laboratori i Ushqimit dhe Veterinarisë. Ndërkohë, mostrat e marra në fermat përreth kanë rezultuar negative.
Bazuar në rezultatet laboratorike, AUV ka shpallur fshatin Landovicë vatër të infektuar, duke vendosur zonën brenda një rrezeje 3 kilometërshe në karantinë. Kjo përfshin ndalim të plotë të qarkullimit të kafshëve, produkteve dhe nënprodukteve të tyre. Fermat e tjera në zonën përreth janë vendosur nën mbikëqyrje epidemiologjike, për të identifikuar burimin e infektimit dhe kontaktet e mundshme me fermën e prekur. Po ashtu, është urdhëruar dezinfektimi i fermave sipas protokolleve zyrtare të biosigurisë.
Me këtë rast, AUV ka nxjerrë vendimin zyrtar nr. 01/537/2025 “Për masat e përgjithshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjes PPR”, i cili hyn në fuqi nga data 03.07.2025 dhe zbatohet në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Masat e përgjithshme përfshijnë:
Ndalimin e lëvizjes, tregtimit dhe shitblerjes së deleve dhe dhive nga fermat;
Njoftim të menjëhershëm të veterinarit nga fermerët për çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore të kafshëve;
Detyrimin e praktikave veterinare për të raportuar rastet e dyshimta në AUV;
Marrjen e mostrave për testim dhe groposjen e kafshëve të infektuara;
Dezinfektimin e objekteve të prekura dhe përcaktimin e vendeve për asgjësim nga komunat;
Përjashtimisht, lejohet lëvizja e kafshëve drejt thertoreve të licencuara, vetëm me pëlqim paraprak të inspektorit veterinar.
Tregjet janë gjithashtu të urdhëruara të pezullojnë pranimin e deleve dhe dhive, ndërsa Policia e Kosovës dhe komunat do të ndihmojnë në zbatimin dhe mbikëqyrjen e këtyre masave.
Çfarë është PPR?
Murtaja e Ruminantëve të Vegjël (PPR) është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek delet dhe dhitë. Ajo karakterizohet nga temperaturë e lartë, rrjedhje nga hunda e sytë, diarre, kollitje e fortë dhe pneumoni. Sëmundja ka ndikim të drejtpërdrejtë në ngordhshmërinë e kafshëve dhe ekonominë blegtorale.
Megjithatë, PPR nuk është zoonotike, që do të thotë se nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk përbën rrezik për shëndetin publik.
AUV apelon për vigjilencë të shtuar dhe bashkëpunim nga fermerët, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme dhe për të ruajtur shëndetin e tufave në gjithë vendin. /Kosova.info/
