Shoqëria civile në Kosovë: Mosmarrëveshjet të zgjidhen me dialog – Serbia ta ndalë retorikën luftë-nxitëse

Shoqëria civile në Kosovë ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në lidhje me situatën në veri, duke thënë se të gjitha mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes dialogut.

Sipas tyre, dhuna ndaj qytetarëve, autoriteteve publike, pjesëtarëve të forcave ndërkombëtare të sigurisë si dhe mediave është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, rendit e sigurisë, por edhe është pengesë për procesin e paqes dhe pajtimit.

“Nga puna jonë në terren me qytetarët e komunitetit serb dhe të gjitha komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovë, po e vërejmë ndikimin negativ të veprimeve të papërgjegjshme të akterëve shtetëror si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd, duke ndikuar drejtpërdrejt në marrëdhëniet më të gjera ndëretnike në Kosovë. Pasojat e veprimeve të ndërmarra në veri të Kosovës prekin të gjithë qytetarët e Kosovës, prandaj situata duhet të trajtohet në mënyrë paqësore, të kujdesshme dhe të qetë”, thuhet në reagim.

Më tej, në reagim thuhet se shoqëria civile dënon çdo provokim, kërcënim apo frikësim nga çdo palë vetëm e përkeqëson situatën dhe nuk sjellë rezultate konkrete.

“Shoqëria civile i bën thirrje qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve serb në Kosovë që të ndërpresin veprimet e njëanshme dhe të bëjnë kompromiset e duhura për të tejkaluar gjendjen e krijuar në veri të Kosovës në koordinim të plotë me komunitetin ndërkombëtar dhe palët e tjera duke u fokusuar ne dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në reagim.

Tutje, shoqëria civile kosovare i ka bërë thirrje edhe autoriteteve serbe që të ndalojnë retorikën luftë-nxitëse në Kosovës dhe të tregohen konstruktiv në arritjen e një zgjidhjeje paqësore përmes dialogut.

“Paqja dhe siguria janë gjithmonë zgjidhja dhe institucionet në Kosovë duhet të punojnë menjëherë drejt uljes së tensionit në veri dhe arritjes së një zgjidhje e cila do të ndihmonte në integrimin më të madh të komunitetit serb në Kosovë”.

Go to TOP