ShKShMK angazhohet për nxjerrjen e trupit të pajetë në Grykë të Rugovës
Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (ShKShMK) është angazhuar për të nxjerrë trupin e pajetë të një personi që dyshohet se ka rënë në një greminë në Grykën e Rugovës.
Sipas njoftimit të publikuar në Facebook, operacioni po zhvillohet në kilometrin e 7-të të Grykës së Rugovës, me pjesëmarrjen e Zjarrfikësve të Pejës dhe Policisë së Kosovës.
“OPERACION! ShKShMK është duke e zhvilluar një operacion në Grykën e Rugovës kilometrin e 7-të, së bashku me Zjarrfikësat e Pejës dhe Policinë e Kosovës. Dyshohet se një qytetar ka rënë në greminë, në afërsi të rrugës. Për informata tjera, ju informojmë me kohë!”, thuhet në njoftimin e shoqatës.
Më herët ishte raportuar se një person është gjetur pa shenja jete në rrugën Pejë–Rugovë, në vendin e njohur si “Kthesa e Madhe”. /Kosova.info/
