Shkrirja e akullit të Grenlandës ka shkaktuar një rritje prej 1.2 centimetrash të nivelit të detit

Shkrirja e shtresës së akullit të Grenlandës ka kontribuar me 1.2 centimetra në rritjen e nivelit global të detit në pak më pak se 20 vjet.

Shtresa e akullit të Grenlandës ka humbur rreth 4,700 gigaton që nga fillimi i matjeve në prill të vitit 2002, mjaftueshëm “për të zhytur” të gjithë SHBA-në me gjysmë metri, tregojnë të dhënat satelitore nga programet Grace dhe Grace-FO deri në gusht 2021, shkruan Euronews.

Të dhënat tregojnë se akulli po shkrihet, veçanërisht në bregun perëndimor të Grenlandës, postoi në Twitter këtë javë Polar Portal.

Një gigaton është e barabartë me 1 miliard ton.

Shtresa e akullit të Grenlandës mbulon katër të pestat e sipërfaqes totale të ishullit më të madh në Tokë.

Vetëm shtresa e akullit të Antarktidës është më e madhe.

Polar Portal është një platformë ku institucionet kërkimore daneze të Arktikut prezantojnë gjetjet mbi gjendjen e shtresës së akullit të Grenlandës dhe akullit të detit.

Grenlanda është kryesisht autonome, por zyrtarisht i përket Danimarkës.

Ishulli është veçanërisht i prekur nga ndryshimet klimatike, pasi Arktiku tashmë është ngrohur dukshëm më shumë se çdo rajon tjetër në tokë.

Go to TOP