Shkarkimet e diplomatëve dobësuan Kosovën karshi fushatës së Serbisë për çnjohje, çfarë të bëhet tutje?
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq ditë më parë ka informuar se 12 shtete janë të gatshme të rishqyrtojnë vendimin e tyre për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Aktualisht, Serbia i është kthyer publikisht fushatës për të ulur peshën politike të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.
Por, sa është aktive diplomacia e Kosovës? A mund t’i bëjë ballë Kosova fushatës së ashpër të Serbisë për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës marrë parasysh përfundimin e moratoriumit njëvjeçar si marrëveshje e arritur në Washington në kuadër të marrëveshjes së Washingtonit midis Kosovës dhe Serbisë.
Profesori Avni Mazreku është prononcuar rreth kësaj çështjeje, duke artikuluar mundësitë e Kosovës përballë kësaj fushate.
Sipas Mazrekut, pavarësisht moratoriumit, Serbia nuk i ka ndalur kontaktet e veta diplomatike për të ndërhyrë në procesin integrues të Kosovës, në pengimin e njohjeve të reja por edhe në fushatën e saj për çnjohje.
Ai thotë se qëllimi kryesor i Serbisë është ulja e mundësisë së anëtarësimit në organizata të huaja sepse organizatat ndërkombëtare janë arenë e artikulimit të sovranitetit të shtetit.
“E para, edhe pse ka pas moratorium sa i përket fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjes sepse aty është fokusuar së paku konteksti deklarativ e ministrisë së Jashtme dhe i presidencës ka qenë në këtë drejtim. Fokusi qendror i Serbisë përkatësisht politikës së jashtme të Serbisë është me preventu anëtarsimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, pse po them në organizatat ndërkombëtare është për faktin se sot për sot organizatat ndërkombëtare janë ato ku artikulotet sovraniteti i shtetit. Mirëpo edhe pse ka ekzistu një moratorium, kontaktet diplomatike të Serbisë me vendet që kanë hezitu me e njoftë pavarësinë e Kosovës, dhe me ato që kanë dyshime që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nuk janë ndalur kurrë, pasojat për ne dhe rezultatet për Serbinë ne do t’i shohim në ditët në vijim”, ka thënë Mazreku .
Profesori universitar, përgjigjjen e Kosovës ndaj këtyre thirrjeve e sheh në forcimin e lidhjeve me vendet mike, madje sipas tij edhe me vendet që hezitojnë dhe kanë ende mëdyshje rreth njohjes së Kosovës.
“Se si Kosova mundet me i’u përgjigj kësaj, Kosova duhet me i forcu lidhjet me vendet e saj mike, do të thotë me vendet që kanë ndikim, me vendet eventualisht hezituse dhe me vendet që kanë dyshime sa i përket njohjes së Kosovës dhe mund të kanë luhatje sa i përket tërheqjes së njohjes së Kosovës”, ka sqaruar Mazreku.
Sa i përket diplomacisë së Kosovës, Mazreku e sheh në dy forma, si një trup diplomatik dhe nga konfiguracionet qeveritare.
“Ndërsa diplomacia e Kosovës ne e dimë është diplomaci që përbëhet prej një trupi diplomatik, kjo është e para, e dyta, partitë politike në pushtet përkatësisht konfiguracionet qeveritare në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë e këndej kur na e kemi marrë kompetenca të plota në fushën politike të jashtme më tepër sektorin diplomatik e kanë konsideru si sektor për zbutjen e papunësisë se sa vërtetë një sektor që duhet me pas konsolidim në term diplomatik në përfaqësim të shtetit”, ka shtuar ndër të tjera.
Mazreku shkarkimet dhe emërimet e fundit prej anëtarëve, nuk i sheh si pozitive në mbrotjtjen nga dëmet e fushatës së Serbisë.
“Lëvizjet e fundit që kanë ndodhur me shkarkimet dhe emërimet prej anëtarëve normalisht nuk është lëvizje pozitive në mbrojtjen përkatësisht në dëmet që mund t’i bëhen nga fushata e Serbisë”, ka përfunduar ai.
Me Marrëveshjen e Washingtonit, të nënshkruar në shtator të vitit 2020, Kosova mori përsipër të pezullojë kërkesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare për 12 muaj dhe Serbia pranoi të pezullojë fushatën për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës në të njëjtën periudhë.
