Shkaqet e largimit nga vendi!

Shkruan: Florim ZEQA

Sa është e lehtë po aq është e vështirë të shkruhet nga largësia. Është e lehtë sepse nuk e ke rrezikun e përballjes së drejtpërdrejtë me grupet e interesit, por është e vështirë të goditet çdo herë mirë caku shkaku i mungesës së informacioneve nga dora e parë.

Pse po ikin të rinjtë nga Kosova?!

Gjatë qëndrimit në Kosovë po e kam më lehtë të shkruaj, për arsye se informacionet po i marrë nga dora e parë, po i marr jo nga mediat por nga takimet dhe bisedat me qytetarët e zakonshëm, me njerëz të ditur dhe të ngritur jashtë fushës së politikës me të cilët po kënaqem dhe mbushem me energji pozitive.

Jo një shkrim, por me dhjetëra e qindra shkrime nuk mjaftojnë për të përshkruar të gjitha rrëfimet e qytetarëve për realitetin e hidhur në të gjitha segmentet e jetës në Kosovë!

Kësaj radhe do të ndalem vetëm në shkaqet e largimit të të rinjve nga vendi, të cilat janë të shumta dhe të shumëllojshme, filluar nga ato objektive dhe subjektive.

Zbërthyer më qartë, shkaqet objektive janë moszbatimi i ligjit të punës në sektorin publik dhe privat, mungesa e sigurimeve shëndetësore, pasiguria në punë dhe mungesa e ardhmërisë në këtë vend.

Kurse shkaqet subjektive janë të shumta duke filluar nga ndikimet partiake, nepotizmi dhe trajtimi çnjerëzore i punëtorëve në sektorin privat, ku punëtoret trajtohen si skllevër me paga tepër të ulëta, por edhe për vonesat e pagave deri në 3-4 muaj, të cilat ndikojnë në përkeqësimin e situatën ekonomike të familjeve kosovare.

Mosmarrja me kohë e pagave në sektorin privat ndikon në mënyrë zinxhirore në përkeqësimin e jetës së qytetarëve, për shkak se secila familje kosovare është e lidhur me kredi bankare. E dihet mirëfilli se mos pagesa me kohë e obligimeve ndaj kredidhënësit, i nënshtrohet ngritjes së interesit bankar, i cili bëhet i papërballueshëm për xhepat e cekët të qytetarëve.

Lidhja e politikës me oligarkët ekonomik

Lidhja apo më mirë të themi futja e liderëve partiak nën varësinë e oligarkëve ekonomik, këtyre të fundit ua ka lënë duart e lira të veprojnë si të duan në sektorin privat.

Kjo është arsyeja pse të gjitha qeveritë e deritanishme i injoruan shkeljet e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat, sektor ky i cili duhet të jetë i mbikëqyrur rreptësishtë nga organet përkatëse shtetërore (Inspektorati i Punës dhe monitoruesit e tjerë ligjor).

Kur jemi në këtë segment ia vlen për të theksuar se në nivel vendi janë vetëm 33 inspektor të punës. Si pasojë e vakumit mbikëqyrës (inspektorëve) kemi mungesë të sigurisë në vendet e punës, ku si pasojë e kësaj kemi abuzime me djersën e punëtorëve dhe rrezikimin e jetës së tyre, për çka për çdo vit kemi rritje të vdekjeve aksidentale të punëtorëve në vendet e tyre të punës. Dhe askush nuk i jep llogari askujt ani pse mbeten jetim fëmijët e punëtorëve pa pension të prindit dhe pa asnjë kompensim material nga shteti!

Mirëpo, e njëjta gjë nuk ndodh tek familjet e politikanëve. Nëse një familjarë i një politikani e pëson aksidentalisht në rrugë apo në ndonjë piknik, shteti e kompenson me dhjetëra mijëra euro e në disa raste edhe më shumë se kaq!

Përderisa në të gjitha vendet e lira dhe demokratike sektori privat është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik, e forcimit të shtetit dhe mirëqenies së qytetarëve, tek ne në Kosovë ende është margjinat e saj.

Protestat e 1 Majit në Kosovë ishin dëshmi e shkeljes drastike e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat, e shfrytëzimit të punëtorëve si skllevër nga ana e punëdhënësve dhe e mosinteresimit të shtetit për të drejtat e tyre.

Përderisa pushtetarët dhe kuvendarët vetëm flasin por nuk veprojnë për nivelimin e pagave në sektorin publik, sektorin privat ka kohë që e kanë harruar, bile as që e çajnë kokën për pagat më të ulëta të punëtorëve në rajon (mesatarja 250 euro).

Mirëpo, shkaku i mungesës së fuqisë punëtore e cila tashmë është larguar nga Kosova, i ka “motivuar” punëdhënësit që të shkojnë në ngritje të detyrueshme të pagave të punëtorëve, të cilat në disa raste e kalojnë dyfishin apo edhe trefishin pagës së një viti më parë ose janë të detyruar që të shkojnë në mbyllje të aktiviteteve të tyre afariste në Kosovë.

Por të njëjtën gjë nuk po e bën edhe shteti me iniciativën për krijimin e bazës së sigurimeve shëndetësore. Jemi i vetmi vend në rajon dhe Evropë, e mbase nga të paktët në botë që nuk kemi sigurime shëndetësore.

Pa dashur ta ndaj nga qeverisjet e mëparshme në Kosovës së pasluftës, as qeverisja aktuale e orientimit majtist me mi 51% të votave të qytetarëve, edhe pse ka hyrë në vitin e tretë të qeverisjes ende po i mungon iniciativa për themelimin e fondit të sigurimeve shëndetësore!

Po ndodhë pikërisht kështu për arsyen e thjesht, pasi shumica e kohës kësaj qeverie po i shkon në dialog me Serbinë në Bruksel. Kryeministri aktual i ka ndërruar prioritetet e qeverisjes, dialogun me Serbinë dhe takimet me Vuçiqin i ka vënë në plan të parë, kurse interesin e qytetarëve të vendit as që e ka në agjendën e tij politike.

Edhe ky, sikurse kryeministrat paraprak në vend të agjendave zhvillimore të vendit, po vrapon pas akademive përkujtimore, aktiviteteve kulturore dhe sportive, pa i lënë anash drekat e darkat dhe ahengjet pas përfundimit të aktiviteteve partiake.

Go to TOP