Shembet rruga në kryeqytet, banorët thonë se nuk mund të lëvizin me vetura
Një ndërtues, duke i kryer punimet për hapjen e themeleve që do të ndërtonte një ndërtesë, ka shembur rrugën. Banorët e kësaj lagjeje të Prishtinës, tashmë kanë mbetur të bllokuar, pasi rruga është shembur. Inspektorati komunal, ndërtuesit ia ka ndërprerë punimet dhe e ka detyruar ta sanojë dëmin e shkaktuar.
Banorët që jetojnë në rrugën “Afërdita Ukshini” dhe në rrugën “Holger Petersen”, po ankohen për shembje të rrugës.
Ata thanë se tashmë e kanë të pamundur të lëvizin me vetura por edhe në këmbë.
“Rruga është shembë tash është rrezik për neve në përgjithësi për banorët, edhe në këmbë me kalu është e vështirësuar. Kanë mbetë veturat e ngujuara, bile një vëlla ka mbetë pa udhëtu për në Gjermani, sot ka pasë me shku, s’ka shku” tha Adem Selimi, banor.
Një banor tjetër thotë se nuk di si t’ia bëjë në rast të ndonjë emergjence.
“Kemi mbetë të bllokuar këtu, smund të dalim as me vetura as me kurgjë. Ne e kemi edhe një plak në shtëpi, është në karrocë, nuk e dimë as si i’a bëjmë më dërgu në spital, ju po e shihni që as në këmbë smundemi me kalu” , u shpreh banori Burim Sheqiri.
E banori Grunar Bajçinovci ka një kërkesë.
“I bëj apel kryetarit, Inspektoratit e ndërtuesve, ti vendosin pilotat nëpër rrugë, si i kanë vendosë edhe ndërtues të tjerë e mos të na dëmtojnë”, tha ai.
Gjatë ditës aty erdhi edhe një ekip i Inspeksionit të Kryeqytetit. Derisa, drejtori i Inspeksionit, Florian Dushi, tha se kanë nxjerrë vendim për ndërprerjen e punimeve ndërtimore, derisa tha se kanë urdhëruar palën ta sanojë gjendjen dhe ta kthejë në gjendjen e mëparshme.
“Ka ndodhë një shembje e dheut aty e cila është shkaktu për arsye pune për shkak të prishjes së një gypi të ujit. Si inspektorat kemi nxjerrë vendim për ndërprerjen e punëve ndërtimore në njerën anë, dhe në anën tjetër kemi urdhëru palën që të marrë masa dhe të veprojë me qëllim të sanimit të gjendjes dhe praktikisht deri në përfundim të këtij sanimi. Deri në kthimin e gjendjes së mëparshme e ka obligim të i përfundojë këto punime”, tha Dushi.
Ai tha se punët ndërtimore deri në këtë fazë, janë bërë sipas lejes ndërtimore, derisa theksoi se pala nuk mund të zhvillojë më tutje punët ndërtimore, deri në sanimin e gjendjes në njërën anë dhe deri në plotësim ndryshimin e projektit të gropës.