Shehu premton rregullimin përfundimtar të shtratit të lumit Erenik: Vazhdojmë +4 pa balotazh
Kryetari aktual i Komunës së Junikut dhe kandidati për një mandat të dytë, Ruzhdi Shehu, ka premtuar zgjidhjen përfundimtare të problemit të shtratit të lumit Erenik gjatë mandatit të ardhshëm. Ai ka theksuar se përkundër miliona eurove të shpenzuara gjatë qeverisjes së kaluar, lumi sot ndodhet në gjendje më të keqe se kurrë.
“Shehu ka deklaruar se në mandatin tonë të dytë, shtrati i lumit Erenik do të rregullohet me standardet më të avancuara ndërkombëtare duke e zgjidhur këtë problem një herë e përgjithmonë,” ka thënë ai në një postim në rrjete sociale.
Ai ka kritikuar qeverisjet e kaluara duke theksuar se ato kanë dështuar në realizimin e projekteve madhore për Junikun: “Nuk duhet lejuar që Juniku të kthehet në duart e atyre që trupin e kanë në Junik, por kokën në Deçan. Ata vetëm kanë dëmtuar buxhetin dhe imazhin e komunës.”
Në fund, Shehu u ka bërë thirrje qytetarëve për mbështetje duke shprehur bindjen se Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë qeverisjen në Junik edhe për katër vitet e ardhshme – “Vazhdojmë +4 pa balotazh.” /Kosova.info/
