Shehu padit Agron Kuçin dhe AAK-në e Junikut për shpifje e fyerje, kërkon ndërhyrje të institucioneve për zgjedhjet e 9 nëntorit
Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se ka dorëzuar padi ndaj Agron Kuçit dhe Degës së AAK-së në Junik për shkak të, siç thotë ai, shpifjeve dhe fyerjeve publike që i janë bërë.
“Duke qenë se z. Agron Kuçi dhe subjekti politik AAK Dega në Junik nuk kanë kërkuar falje dhe nuk kanë fshirë deklaratat e tyre shpifëse dhe fyese, sot, me datë 07.11.2025, kam parashtruar padi për kompensimin e dëmit për shkak të shpifjeve dhe fyerjeve nga z. Kuçi dhe AAK Dega në Junik. Lidhur me këtë çështje do të ballafaqohemi në gjykatë ku do të shpallemi fitues, njëlloj sikurse në zgjedhjet e 9 nëntorit 2025,” ka deklaruar Shehu.
Ai ka paralajmëruar se së shpejti do të parashtrohen edhe padi të tjera civile dhe kallëzime penale, të cilat, sipas tij, janë paralajmëruar më herët.
Kreu i Junikut ka bërë të ditur gjithashtu se ka dërguar një kërkesë zyrtare në Prokurorinë e Shtetit, Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor, për të siguruar prezencë të mjaftueshme të zyrtarëve policor në ditën e zgjedhjeve të balotazhit më 9 nëntor.
“Sot zyrtarisht kemi kërkuar që në ditën e zgjedhjeve të angazhohet prezencë e mjaftueshme e zyrtarëve policor dhe zyrtarëve tjerë kompetent. Vetëm në këtë mënyrë mund të parandalohen incidentet e mundshme të cilat janë paralajmëruar publikisht nga eksponentët e AAK-së në Junik,” ka thënë ai.
Shehu ka bërë të ditur se ka pranuar informacione nga qytetarët për përpjekje të blerjes së votave nga përfaqësues të AAK-së, por ka theksuar se falë kamerave të sigurisë të instaluara në mandatin e tij të parë, e gjithë Komuna e Junikut është nën mbikëqyrje 24 orëshe.
Ai ka falënderuar Policinë e Kosovës për angazhimin e tyre në ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë kësaj periudhe zgjedhore dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë.
“Qytetarëve të Junikut ju bëjmë thirrje që të vazhdojnë të ruajnë qetësinë deri në fund të këtij procesi. Ju lutem të injoroni provokimet, shantazhet dhe kërcënimet e kundërshtarëve tanë politik. Junikasit nuk shiten, nuk blihen dhe nuk mashtrohen,” përfundoi Shehu duke shprehur bindjen se më 9 nëntor fitorja do të jetë e tij. /Kosova.info/
