Shehu: AAK bllokoi buxhetin e Junikut me urdhër nga Deçani – Agron Kuçi po punon kundër interesave të qytetarëve
Kryetari dhe kandidati për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka reaguar ashpër pas dështimit të miratimit të buxhetit komunal për vitin 2026 duke akuzuar asamblistët e AAK-së se, me urdhër nga Deçani, kanë bojkotuar mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës.
Shehu theksoi se, ndonëse seanca ishte thirrur vetëm me një pikë të rendit të ditës – miratimin e buxhetit – mungesa e kuorumit e pamundësoi miratimin e dokumentit më të rëndësishëm financiar të komunës.
“Nga reagimet e tyre publike dhe informacione tjera që kemi, asamblistët e AAK-së kanë marrë urdhër nga Deçani që të mos marrin pjesë në seancë dhe të mos votojnë buxhetin e Junikut. Pra, sërish eksponentët nga jashtë po vendosin për fatin e Junikut dhe të junikasve,” tha Shehu.
Ai falënderoi asamblistët e Vetëvendosjes, Lulzim Gacaferin dhe Eliza Pepshin, për pjesëmarrjen dhe mbështetjen e interesit të përgjithshëm të qytetarëve, pavarësisht dallimeve partiake.
Në reagimin e tij, Shehu vuri në dukje se mosmiratimi i buxhetit dëmton drejtpërdrejt qytetarët, punonjësit e komunës dhe bizneset lokale, ndërsa pengon edhe realizimin e projekteve të rëndësishme infrastrukturore, si rikonstruksioni i rrugës së Zharres, ku ndodhet lapidari i heronjve Arif Gjocaj, Shkëlzen Gacaferi dhe Avdyl Jasiqi.
“Kur nuk e votuat buxhetin, a u turpëruat para gjakut të heronjve? A menduat për pagat e punëtorëve, për bizneset dhe ekonomitë familjare të Junikut?”, pyeti Shehu duke iu drejtuar Agron Kuçit dhe asamblistëve të AAK-së.
Në përfundim, Shehu tha se qytetarët e Junikut do t’i japin përgjigjen e merituar në zgjedhjet e 9 nëntorit:
“Juniku nuk e duron këtë qasje. Për hir të gjakut të dëshmorëve dhe për hir të së ardhmes së Junikut, më 9 nëntor Agron Kuçi do ta marrë përgjigjen e merituar nga të gjithë junikasit pa dallim.” /Kosova.info/
