ShBA: 41 milionë të rinj me të drejtë vote në zgjedhjet presidenciale 2024
Vetëm këtë vit, rreth 8 milionë të rinj mbushin moshën 18-vjeçare duke fituar të drejtën për të votuar.
Në tërësi, janë 41 milionë amerikanë nën moshën 27-vjeçare, të lindur në periudhën 1997-2012 që mund të votojnë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
41 milionë të rinj amerikanë nga 18 deri në 27 vjeç kanë të drejtë vote në zgjedhjet e nëntorit.
Analistët thonë se vota e tyre mund të jetë përcaktuese në zgjedhjet presidenciale, jo për shkak të moshës, por për shkak të asaj që ata janë.
“Pjesa e re e popullsisë do të ketë më shumë larmi racore sesa popullsia e vjetër, e lindur pas Luftës së Dytë Botërore”, thotë William Frey nga Instituti Brookings.
“Pra, gati gjysma e tyre, të rinjtë e lindur në periudhën 1997-2012 janë me ngjyrë – rreth një e pesta e tyre identifikohen si pjesë e LGBTQ-së. Pra, po flasim për një brez vërtet të larmishën, jo vetëm sa i përket identitetit, por sa i përket prejardhjes, përvojave dhe pikëpamjeve të tyre”, thotë Alberto Medina nga Universiteti Tufts.
Historikisht, të rinjtë dalin më pak për të votuar krahasuar me votuesit më të moshuar. Por, ky brez i ri është më aktiv në politikë, krahasuar me brezat e tjerë në këtë moshë.
“Një nga ngjarjet e mëdha në ciklet e fundit zgjedhore ishte në fakt një rritje e madhe e pjesëmarrjes në votime të të rinjve. Mendohet se 39% e tyre votuan më 2016 dhe 50% më 2020”, thotë Alberto Medina nga Universiteti Tufts.
Kur bëhet fjalë për zgjedhjet për Kongres që përkojnë me mesin e mandatit të presidentit, të rinjtë e sotëm ishin më aktivë krahasuar me pjesëmarrjen në votime të brezave të mëparshëm në zgjedhje të njejta.
Në zgjedhjet për Kongres më 2022, për herë të parë personat e lindur në periudhën 1997 – 2012 përbënin të gjitha grupmoshat nga 18-24 vjeç.
Mbi 28% e tyre votuan në këto zgjedhje. Kjo është përqindja më e lartë e pjesëmarrjes, krahasuar me brezat e kaluar në moshën e njejtë.
28% e votuesve të rinj me të drejtë vote votuan më 2018.
Më shumë se dyfishi i pjesëmarrjes së të rinjve gjatë zgjedhjeve për Kongres më 2014, kur 13% e votuesve nga 18-29 vjeç dolën në zgjedhje. 23% morën pjesë më 2022.
Analistët thonë se votuesit motivohen nga çështjet që i prekin drejtpërdrejt, si sulmet me armë në shkolla dhe ekonomia.
“Po flasim për një brez të rinjsh që ka përqafuar fuqinë e tij, dëshirën për ndryshim, gjë që e ka bërë mirë përmes kutisë së votimit”, thotë Alberto Medina nga Universiteti Tufts.
Në zgjedhjet për Kongres më 2022, të rinjtë në përgjithësi mbështetën më shumë kandidatët demokratë. Të dhënat tregojnë se gratë e reja votuan më shumë për demokratët sesa burrat e rinj.
“Nëse Kamala Harris i bind ata që të votojnë, ata mund ta mbështesin atë më shumë sesa Joe Bidenin”, thotë William Freey nga Instituti Brookings.
Analistët thonë se pa votat e të rinjve, republikanët do ta kishin të lehtë në zgjedhjet për Kongres më 2022.
Sa i përket zgjedhjeve presidenciale të këtij viti, sondazhet e fundit tregojnë se Nënpresidentja Kamala Harris gëzon mbështetje më të madhe tek votuesit e rinj.