Seuli qorton ambasadorin rus për shkak të dislokimit të trupave të Koresë së Veriut

Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut ka thirrur ambasadorin rus në Seul për të protestuar lidhur me atë që e cilëson si dislokim të trupave të Koresë së Veriut në Rusi, me qëllim dërgimin e tyre më vonë në Ukrainë. Zëvendësministri i Jashtëm, Kim Hong-kyun, kërkoi tërheqjen e menjëhershme të trupave verikoreane dhe nënvizoi se kjo përbën shkelje të rezolutave të OKB-së dhe një kërcënim për sigurinë e Koresë së Jugut dhe rajonit.

Ministria e Jashtme raportoi se Georgy Zinoviev, ambasadori rus, do të përcjellë këtë mesazh Moskës. Javën e kaluar, agjencia e inteligjencës së Seulit njoftoi se Koreja e Veriut kishte dërguar rreth 1,500 ushtarë në Lindjen e Largët të Rusisë për trajnime, me mundësi që ata të përfshihen në luftime në Ukrainë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Korenë e Veriut për përgatitjen e dërgimit të 10,000 ushtarëve në Rusi dhe ka bërë thirrje për një reagim të fortë ndërkombëtar. Ndërkohë, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë dhe zyrtarët e NATO-s nuk kanë konfirmuar këto raportime, por paralajmëruan për rrezikun e mundshëm që paraqet një zhvillim i tillë në luftën Rusi-Ukrainë.

Si Moska, ashtu edhe Pheniani kanë mohuar raportimet për dërgim armësh apo trupash midis tyre, megjithëse dy vendet kanë deklaruar forcimin e marrëdhënieve të tyre ushtarake pas nënshkrimit të një traktati mbrojtës në qershor.


Go to TOP