Rritja e tatimit në pronë nga janari, Hoti tregon se kush pritet të dëmtohet më shumë
Nga janari 2025, tatimi në pronë pritet të trefishohet, një zhvillim që është konfirmuar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti.
Sipas deputetit të LDK-së, tatimi do të godasë veçanërisht pronat me vlerë të lartë.
“Me hyrjen në fuqi të Ligjit të ri të tatimit në pronë, nga janari 2025 do të zbatohet një normë progresive e tatimit, si më poshtë:
Pronat me vlerë deri në 100,000 euro – norma minimale 0.10%,
Pronat me vlerë 100,000-500,000 euro – norma minimale 0.20%,
Pronat me vlerë 500,000-1,000,000 euro – norma minimale 0.30%,
Pronat me vlerë 1,000,000-5,000,000 euro – norma minimale 0.40%,
Pronat me vlerë mbi 5,000,000 euro – norma minimale 0.50%.
Sipas Hotit, kjo politikë do të shtojë ndjeshëm barrën fiskale për pronat e mëdha. Ai përmendi se prona me vlerë 1 milion euro do të tatohet me 2,400 euro, ndërsa prona me vlerë 10 milion euro do të ngarkohet me 43,400 euro. Hoti kritikon këtë sistem tatimor progresiv, duke theksuar se ngarkesa rritet proporcionalisht me vlerën e pronës, duke bërë që tatimi të bëhet shumë i rëndë për pronat më të shtrenjta. Ai gjithashtu nënvizon se tatimi në pronë përdoret për të mbuluar koston e shërbimeve publike, por pronarët e pronave tashmë kanë paguar tatime mbi të ardhurat e përdorura për blerjen dhe qiradhënien e tyre.
Një tjetër shqetësim është futja e tokave bujqësore të kultivuara në skemën e tatimit, të cilat më parë ishin të liruara për të nxitur zhvillimin bujqësor. Ndryshimet, sipas tij, janë bërë pa analizë të thellë dhe konsultime me palët e prekura, veçanërisht bizneset.”
