Serwer: Asociacioni nuk është përmendur në versionin e parë të propozimit franko-gjerman, u përfshi në versionin e dytë

Formimi i Asociacionit të Komunave serbe nuk ishte në versionin bazë të propozimit gjermano-francez, pohon eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, në intervistën dhënë mediave austriake.

Ai tha se Serbia ka kërkuar që Asociacioni të formohet sa më parë dhe se shtetet e Quintit kanë përmbushur kërkesën e Beogradit në versionin e dytë të propozimit.

Profesori i Universitetit Johns Hopkins thotë gjithashtu se propozimi parasheh që komuniteti serb në Kosovë të financohet drejtpërdrejt nga Serbia.
“Është e sigurt se Beogradi mund të përdorë komunitetin për të ushtruar kontroll, por Beogradi tashmë kontrollon dhe financon komunat me shumicë serbe përmes Listës Serbe,” tha Server. 

Ai kritikon faktin se propozimi, siç thotë ai, nuk i referohejh Kushtetutës së Kosovës si pikënisje, pasi që Gjykata Kushtetuese i shpalli parimet e planifikuara të Asociacionit si pika që bien në kundërshtim me kushtetutën.

Serwer po ashtu thotë se në propozim nuk përmenden pesë anëtarët e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur Kosovën.

Ai po ashtu ka thënë se 10 vjet më parë, kur u arrit marrëveshja për formimin e Asociacionit, shumë supozuan se Serbia një ditë, në kuadër të zgjerimit të BE-së, do ta njohë Kosovën, gjë që, rrjedhimisht, do ta bënin edhe pesë shtetet anëtare të unionit, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Megjithatë, Serwer vlerëson se askush në Ballkan nuk beson më në zgjerimin e BE-së, ndërsa në Serbi, veçanërisht, pothuajse nuk është bërë asnjë hap në këtë drejtim vitet e fundit.

Serwer beson se është relativisht e lehtë të bëhet trysni mbi Kosovën, sepse Prishtina nuk ka zgjidhje tjetër veçse të ndjekë anëtarësimin NATO dhe BE.

Go to TOP