Serbia dhe Republika Sërpska miratojnë deklaratën në “Kuvendin gjithëserb” – përmendet edhe Kosova

Serbia dhe Republika Sërpska kanë miratuar të shtunën Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe për një të ardhme të përbashkët të popullit serb.

Deklarata është miratuar në Beograd në një takim mes dy qeverive, në kuadër të të ashtuquajturit Kuvend gjithëserb.

Kuvendi synon vërtetimin e unitetit serb.

Presidenti serb, Aleksandar Vuciq, ka thënë se Deklarata i referohet Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje – Hercegovinë, dhe nuk përmendet përçarja në atë shtet.

Deklarata duhet të miratohet nga Parlamenti i Serbisë dhe ai i Republikës Sërpska brenda 90 ditëve.

Presidenti serb ka thënë se ky dokument përmend edhe Kosovën edhe Rezolutën 1244.

“E kemi përmendur qartë edhe dialogun si rrugë thelbësore për zgjidhje të problemeve mes nesh dhe shqiptarëve. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç dialogut”, ka thënë ai.

Përgjatë takimit është insistuar në, siç është thënë, “përdorimin e emrit të plotë të provincës jugore serbe – Kosova dhe Metohija”.

Çfarë thuhet për Kosovën?

Përveç pjesës për emrin, në Deklaratë përmendet edhe që Kosova “është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”, dhe që Kuvendi gjithëserb mbështet përpjekjet e Republikës së Serbisë për ruajtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit, të garantuar me ligjin ndërkombëtar, Rezolutën 1244 dhe rezolutat tjera të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Mes tjerash përmendet që serbët në Kosovë, si dhe gjithë qytetarët tjerë që janë besnikë të Serbisë, duhet të mbrojnë manastiret, kisha, pronat private, varrezat dhe objektet tjera të rrezikuara.

Nënshkruesit e Deklaratës i kanë dënuar edhe ato që i kanë konsideruar kushte të patolerueshme të jetesës së serbëve në Kosovë, të krijuara prej autoriteteve të Prishtinës, por pa përmendur ndonjë fakt konkret.

Në një pikë tjetër është përmendur edhe nevoja e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel, si mënyra e vetme e qëndrueshme për zgjidhje të problemit.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës.

Dy vendet dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Si u zhvilluan punimet?

Vuciq ka thënë në takimin e përbashkët mes dy qeverive se, ruajtja e paqes përbën interesin më të madh të serbëve.

Ai ka thënë se këto fjalë janë zgjedhur me kujdes në deklaratë.

“Ju merrni vendimet tuaja, unë vetëm ju kërkoj që të mendoni një milion herë se sa shumë na duhet paqja”, ka thënë ai, duke iu drejtuar zyrtarëve të Republikës Sërpska, të cilëve u ka thënë se “Serbia nuk do ta lë kurrë në baltë Republikën Sërpska”.

“Mirëpo, kërkesa ime është që të tentoni t’i zgjidhni problemet në paqe dhe me negociata, dhe në përputhje me Marrëveshjen e Dejtonit”, ka thënë ai.

Sipas tij, deklarata e miratuar të shtunën bën fjalë për perspektivën evropiane, por edhe për ruajtjen e miqësive tradicionale.

Pamje nga takimi i përbashkët.
Pamje nga takimi i përbashkët.

Dodik ka thënë se 15 shkurti, që shënon Ditën e Shtetësisë së Serbisë, do të shënohet si ditë e veçantë edhe në Republikën Sërpska.

Ai ka shtuar se “ne do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar ndaj faktit që Republika Sërpska është krijuar më 9 janar, dhe ne ashtu do ta festojnë krijimin e saj”.

“Republika Sërpka është e kënaqur me autonominë që ka pranuar përmes Marrëveshjes së Dejtonit, mirëpo kjo është vënë në pikëpyetje. Bosnja dhe Hercegovina nuk mund të vazhdojë të shkelë Dejtonin, është më mirë të jetojmë si fqinj të mirë, sesa përherë të jemi duke u grindur”, ka thënë Dodik.

Ai ka thënë se populli serb dëshiron paqe.

Dodik e ka përshkruar deklaratën e së shtunës si dokument historik për interesat kombëtare të serbëve.

“Kjo deklaratë jep përgjigje për shumë sfida, rreth asaj se çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen”, ka thënë ai.

Kuvendi po mbahet në kohën e forcimit të retorikës së autoriteteve në pushtet për “rrezikimin e popullit serb”, për shkak të miratimit në Kombet e Bashkuara të Rezolutës për gjenocidin në Srebrenicë, e cila u kundërshtua nga Beogradi dhe Banjalluka.

Serbia loboi kundër miratimit të rezolutës, sepse Beogradi zyrtar, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, nuk e njeh gjenocidin në Srebrenicë dhe përdor cilësimin “krim i tmerrshëm”.

Rezoluta, e cila shpall 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës, u miratua më 23 maj.

Fillimisht, kuvendi ishte paraparë të mbahej më 5 dhe 6 maj, në dy festat fetare, Pashkë dhe Shën Gjergji.

Por, Dodik kërkoi të shtyhej mbajtja, pas miratimit të Rezolutës për Srebrenicën. Në Srebrenicë, pjesëtarët e Ushtrisë së Republikës Sërpska vranë mbi 8.000 burra e djem boshnjakë, në korrik të vitit 1995.

Në Beograd po qëndrojnë edhe përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve të Kosovës.

Nisja e Kuvendit

Kuvendi ka nisur me lutje të Kishën e Shën Savës, më të madhen kishë ortodokse në Serbi, nën drejtimin e patriarkut Porfirije.

“Jemi mbledhur për t’iu lutur Zotit për unitet dhe unitet të njerëzve tanë, si dhe për paqe mes të gjithë njerëzve dhe të gjitha kombeve”, ka thënë Porfirije.

“Nuk jemi kundër askujt, mirëpo jemi këtu për të mirën tonë, dhe për të mirën e të gjithë atyre që jetojnë me ne dhe rreth nesh”.

Ai ka bërë thirrje për unitet dhe harmoni, por edhe për ndërtim të paqes me të gjithë.

Prej aty, pjesëmarrësit kanë shkuar në Pallatin e Serbisë, ku mbahen takimet mes Qeverisë së Serbisë dhe asaj të Republikës Sërpska.

Vuciq ka thënë përmes një postimi në Instagram se vëmendje e posaçme do t’i dedikohet edhe përparimit ekonomik, projekteve të interesit të përbashkët dhe thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit.

“Ne do të vazhdojmë të avokojmë për ruajtje të paqes, stabilitetit dhe identitet kombëtar, kulturor dhe fetar”, ka thënë ai.

Shënimi qendror i manifestimit do të jetë në Sheshin qendror të Republikës, me 48 ansamble folklorike dhe 2.500 valltarë.

Ngjarja përfundon në mbrëmje, me fishekzjarrë nga Parku i Republikës Sërpska.

Pse nevojitej Kuvendi?

Kuvendet, si mënyrë për të marrë vendime, praktikoheshin në kohët e hershme.

Ky model i vjetër popullor-kishtar i vendimmarrjes, i cili e ka origjinën nga mesjeta, tashmë është rikthyer në skenë nga Vuçiqi dhe Dodiku.

Serbi -- Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, dhe kreu i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, duke festuar Ditën e unitetit, lirisë dhe flamurit kombëtar serb në Nish, 15 shtator 2023.
Serbi — Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, dhe kreu i Republikës Sërpska, Milorad Dodik, duke festuar Ditën e unitetit, lirisë dhe flamurit kombëtar serb në Nish, 15 shtator 2023.

Marko Millosavleviq nga Iniciativa e të rinjve për të drejtat e njeriut, vlerësoi për Radion Evropa e Lirë se në këtë mënyrë po rrumbullakohet koncepti i “botës serbe”.

“Qytetarëve të kombësisë serbe, si në Serbi ashtu edhe në Bosnje e Hercegovinë, u është paraqitur përkatësia etnike e tyre si identiteti më i rëndësishëm, e jo të drejtat dhe liritë e tyre civile, të cilat këtu lihen anash”, vlerësoi ai.

Ideja e një “bote serbe” u proklamua nga nënkryetari pro-rus i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin, kur ishte në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa presidenti i Serbisë, Vuçiq, mohoi se një gjë e tillë është politikë zyrtare.

Duke komentuar mbajtjen e kuvendit, Millosavleviq thotë se përmes aktiviteteve të kësaj ngjarjeje shihet roli i madh i Kishës Ortodokse serbe, por jo në mënyrën që e lejon Kushtetuta e Serbisë.

“Përkundrazi, ne po shohim një shkelje flagrante të parimit të laicitetit”, tha Millosavleviq.

Duke vënë në dukje se bashkëpunimi kulturor dhe ekonomik është legjitim, ai thotë se shpallja e deklaratës shkakton “dyshim, madje edhe një lloj frike”, veçanërisht ndaj popujve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Para kuvendit, Dodik u takua me Putinin

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq dhe kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, më 7 qershor, pritën zyrtarët e Republikës Sërpska në vendkalimin Raça e Sremit (Sremska Raça).

Millorad Dodik, president i Republikës Sërpska arriti në kuvend pas një takimi tjetër me liderin rus Vladimir Putin, me të cilin foli në Shën Petersburg.

Dodik, udhëheqës pro-rus i serbëve në Bosnje e Hercegovinë, i cili është nën sanksionet amerikane dhe britanike, falënderoi Putinin që Rusia nuk votoi Rezolutën për Srebrenicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Putin theksoi se Rusia nuk po e ndryshon qëndrimin e saj në lidhje me Marrëveshjen e Dejtonit dhe tha se “Dejtoni është baza për ruajtjen e situatës në Bosnje e Hercegovinë, por edhe për zhvillimin”.

Dodik u takua me Putinin në momentin e krizës më të re politike në Bosnje e Hercegovinë, e shkaktuar nga lëvizjet e autoriteteve të entitetit të Bosnje e Hercegovinës – Republikës Sërpska – pas miratimit të Rezolutës për Srebrenicën.

Më 30 maj, Qeveria e Republikës Sërpska caktoi një grup pune me qëllim të hartimit të një propozimi për një marrëveshje mbi “ndarjen paqësore” në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në prag të kuvendit, Dodik njoftoi se do të kërkonte mbështetjen e Serbisë në lidhje me “ndarjen” e Republikës Sërpska dhe Federatës së Bosnje e Hercegovinës.

Lidhur me këtë, Vuçiq është përgjigjur se “nuk mund” të komentojë nismën e ndarjes dhe se qëndrimi i Serbisë është respektimi i Marrëveshjes së Dejtonit.

Një përpjekje për t’u shkëputur do të ishte shkelje e drejtpërdrejtë e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe Kushtetutës së Bosnje e Hercegovinës, me të cilat është përcaktuar statusi i dy entiteteve. /Radio Evropa e Lirë/

Go to TOP