Serbët e Kroacisë marrin thirrje për mobilizim në rast lufte në Kosovë?

Marijan Pavliček, anëtar i sovranistëve kroatë në Saborin Kroat, tha të mërkurën se nga tetori 2022, shumë qytetarë kroatë, të cilët janë edhe shtetas të Serbisë, po marrin thirrje për rekrutim në lidhje me mobilizimin e mundshëm të ushtrisë serbe në rast të një lufte në Kosovë.

Në mesin e atyre që kanë marrë thirrje për mobilizim janë punonjës të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kroacisë, policë Kroatë.

“Me sa dimë, të paktën 15 policë kroatë nga administratat policore të Osijek-Baranjës dhe Vukovar-Srijem morën thirrje, për shkak se kanë dy shtetësi, të raportojnë në Mitrovicën e veriut”, tha Pavliček në emër të Klubit të Sovranëve Kroatë në fjalë të lirë në Kuvend.

Ai tregon se kanë informacione se një polic kroat i është përgjigjur kësaj thirrjeje dhe ka kontaktuar ushtrinë serbe dhe ka marrë udhëzime se si të sillet në rast mobilizimi. Pavliček paralajmëroi se ishte një shkelje e sigurisë.

“Donin ta mbulojnë këtë rast. Publiku kroat nuk u informua nga administrata e policisë. Udhëheqja e SDSS-së u përfshi për të mbuluar këtë rast, pasi ka të bëjë me një pjesëtar të pakicës serbe nga rrethina e afërt e Vinkovcit, tha Pavlicek. Ai ka kujtuar se ky person është suspenduar nga detyra dhe se janë duke u zhvilluar procedura disiplinore”.

Ai ka thënë se ministri kroat i Punëve të Brendshme, Davor Bozinoviq dhe ai i Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Gordan Grliq Radman, nuk e kanë komentuar rastin dhe se është dashur t’i dërgojnë një notë proteste Serbisë.

Pavlicek gjithashtu vuri në dukje se Kroacia ka tre muaj që nuk ka një shef të Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë Ushtarake (VSOA) dhe se vendi ka dështime në të gjitha nivelet e sigurisë.

Go to TOP