Senatori Wyden heton marrëveshjet e “Affinity Partners” në Serbi e Shqipëri

Kryetari i Komitetit të Financave të Senatit Amerikan, demokrati Ron Wyden nga Oregon, e ka vazhduar hetimin e “Affinity Partners”, një firmë në pronësi të Jared Kushner, dhëndrit të ish-presidentit Donald Trump.

Senatori Ron Wyden, i cili është kryesues i Komitetit të Financave në Senatin Amerikan, përmes një letre drejtuar përfaqësuesit ligjor të “Affinity Partners”, ngre disa çështje që lidhen me marrëveshje të ndryshme me investitorë të huaj, përfshirë qeveritë e huaja, që siç thotë ai, i paguajnë “Affinity partners” miliona dollarë, në këmbim të shërbimeve konsulente.

Një prej  çështjeve që ai adreson, ka të bëjë me marrëveshjet e mundshme rreth pronave të paluajtshme në Serbi dhe Shqipëri.

Në letrën e Wyden thuhet se informacionet e reja të marra nga Komiteti, lidhur me marrëveshjet e pronave në Serbi dhe Shqipëri, tregojnë se si qeveritë e huaja mund të kërkojnë partneritet me “Affinity partners”, në mënyrë që të ushtrojnë ndikim tek Jared Kushner dhe Ivanka Trump (e bija dhe dhëndri i kandidatit për president në SHBA, Donald Trump).

Tutje në këtë letër thuhet se raportet publike konfirmojnë se “Affinity partners” po kërkon të investojë rreth 1 miliard dollarë në projekte të patundshmërisë në Beograd, e po ashtu edhe në bregdetin shqiptar, megjithatë pak dihet për mënyrën se si janë propozuar këto marrëveshje dhe për natyrën e të bërit biznes ndërmjet “Affinity partners” dhe qeverive shqiptare dhe serbe.

Në adresimin e tyre, “Affinity partners” i ka treguar Komitetit se qeveria serbe dhe ajo shqiptare fillimisht iu kanë afruar individëve të lidhur me ‘Affinity’ në lidhje me një investim të mundshëm në një projekt të patundshmërive. Megjithatë, ‘Affinity’ nuk pranoi të identifikojë se kush nga radhët e qeverive serbe dhe shqiptare iu afruan atyre dhe nëse qasja u bë drejtpërdrejt përmes Jared Kushner, Ivanka Trump ose individëve të tjerë të lidhur me këtë kompani.

Sipas raportimeve të fundit publike, Ivanka Trump ka qenë e përfshirë personalisht në përpjekjet për të zhvilluar prona luksoze në bregdetin shqiptar, thuhet tutje në letrën e senatorit amerikan drejtuar ‘Affinity’.

Në adresimin e tyre para Komitetit, ‘Affinity’ konfirmoi se qeveritë e Serbisë dhe Shqipërisë do të jenë partnere të saj, me aksione të drejtpërdrejta financiare në zhvillimet e pasurive të paluajtshme.

Senatori Wyden kërkon nga kjo kompani që t’i ofrojë informacione për investimet në Serbi dhe ka listuar gjithçka që i intereson Komitetit të Financave të Senatit Amerikan.

Për zhvillimin e këtyre projekteve të pasurive të paluajtshme, qeveria serbe dhe ajo shqiptare zotërojnë tokën dhe kanë diskrecion të gjerë mbi mënyrën se si përdoret prona.

Për shembull, projekti në Beograd – një vend që ishte bombarduar nga NATO – do të përfshijë një muze që është përshkruar si një monument për “viktimat e agresionit të NATO-s”.

Sentatori Wyden thotë se është krejtësisht e papërshtatshme për çfarëdo qeverie të huaj që të kërkojë që një kompani amerikane të marrë pjesë në një lloj revizionizmi historik antiamerikan, në një akt që tenton të mbulojë spastrimin etnik dhe gjenocidin, duke paraqitur në mënyrë të rreme NATO-n si armik, dhe është skandaloze që një kompani e themeluar dhe në pronësi të familjes së një ish-presidenti amerikan të pajtohej me këtë gjë.

Në maj u njoftua se kompania e Kushnerit dhe Qeveria e Serbisë kishin nënshkruar një marrëveshje për rivitalizimin e kompleksit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë. Sipas Zërit të Amerikës (redaksia në gjuhën serbe), detajet e kontratës nuk dihen. Kompleksi thuhet se përbëhet nga një hotel, ndërtesa apartamentesh dhe një lloj memoriali për viktimat e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999. Në qershor, Kushner bëri vizitën e tij të parë zyrtare në Beograd që kur u njoftua se i ishte dhënë detyra e rigjallërimit të Shtabit të Përgjithshëm.

Letra e plotë e senatorit Ron Wyden

Go to TOP