Sekuestrohen armë gjatë hetimeve për dhunë në familje në Gjakovë

Një rast i dhunës në familje në Komunën e Gjakovës ka çuar në sekuestrimin e armëve të rrezikshme nga Policia e Kosovës. Stacioni Policor në Gjakovë, gjatë hetimeve ndaj një të dyshuari për dhunë psikike dhe kanosje ndaj bashkëshortes së tij, ka siguruar informacione se i njëjti posedonte armë pa leje.

Bazuar në këto të dhëna, policia ka kryer një kontroll në vendbanimin e të dyshuarit në fshatin Osek Pashë, ku janë gjetur dhe sekuestruar:

Një pushkë automatike e llojit AK-47 me dy karikatorë dhe 566 fishekë

Një pistoletë me tre karikatorë dhe 31 fishekë

“Pas përfundimit të procedurave policore, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë. Ndaj tij është iniciuar rast penal për veprat penale: “Dhunë në familje” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve””, thuhet në njoftimin e Policisë.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë thekson përkushtimin e saj për të luftuar veprimtaritë e kundërligjshme dhe për të garantuar sigurinë publike në rajon. /Kosova.info/


Go to TOP