Sekuestrohen armë dhe qen gjuetie në Vitomiricë
Njësia e policisë kufitare nga Stacioni Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit në Vitomiricë – Radavc, dje rreth orës 18:40, gjatë patrullimit në rrugën Cerkolez, ka ndaluar një automjet me targa vendore në të cilin ndodheshin tre persona, drejtuesi dhe dy pasagjerë, të gjithë meshkuj kosovarë.
Gjatë kontrollit të automjetit, në bagazhin e tij janë gjetur katër qen gjuetie, ndërsa në rimorkion që po tërhiqej nga i njëjti automjet janë zbuluar edhe dhjetë qen të tjerë të këtij lloji, njofton sot Policia e Kosovës.
Po ashtu, gjatë kontrollit janë sekuestruar si prova materiale: tri armë gjuetie, 27 copë fishekë dhe dy radiolidhje.
Bëhet e ditur se me vendim të prokurorit kompetent, rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa pas intervistimit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës vazhdon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit. /Kosova.info/
