EKONOMI

Sekretarja e Energjisë së ShBA-ve i shprehë përkrahjen Ministres Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka marrë pjesë në Forumin e Partnershipit për Bashkëpunim Transatlantik për Klimë dhe Energji, të organizuar nga Departamenti i Energjisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në bashkëpunim me Ministrinë e Klimës dhe Ambientit të Polonisë dhe Qendrën Globale të Energjisë të Këshillit Atlantik.

Në këtë forum Kosova është përfaqësuar për herë të parë në mesin e 22 shteteve evropiane, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. 

Gjatë Forumit, Ministrja Rizvanolli është takuar me Sekretaren e Energjisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Znj. Jennifer Granholm. 

Gjatë takimit, u theksua se Kosova dhe ShBA-të kanë gatishmëri dhe mundësi bashkëpunimi në fushën e energjisë. Sekretarja Granholm i ka shprehur Ministres Rizvanolli përkrahjen e saj dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për reformat e Qeverisë, duke përfshirë këtu përpjekjet për sundim të ligjit e luftës ndaj korrupsionit.

Tutje, gjatë fjalimit mbyllës të Forumit, Sekretarja Granholm ka përshëndetur pjesëmarrjen e Kosovës në këtë partneritet. Ajo ka shtuar që gjatë javës së ardhshme, Qendra e Hulumtimit Amerikane, Argonne Laboratory do të vizitojë Kosovën, specifikisht KOSTT-in, për studime potenciale për adaptim të rrjetit për mbrojtje nga sulmet kibernetike dhe ngrohja globale. /Kosova.info/