Seanca e jashtëzakonshme në Prishtinë për buxhetin 2026 dështon për mungesë kuorumi

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës, e thirrur sot për miratimin e buxhetit të vitit 2026, ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së kuorumit, shkruan Kosova.info.

Në sallë ishin të pranishëm vetëm rreth 20–21 asamblistë, kryesisht nga radhët e LDK-së, disa përfaqësues të AAK-së, një nga Nisma dhe dy nga AKR. Ndërkohë, siç ishte paralajmëruar, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës munguan në seancë, duke pamundësuar zhvillimin e saj.

Vetëvendosja më herët kishte njoftuar se nuk do të merrte pjesë në këtë mbledhje, duke e cilësuar buxhetin e sjellë nga kryetari Përparim Rama si “të njëanshëm, jotransparent dhe me projekte të dyshimta e të fryra”.

Pas konstatimit të mungesës së kuorumit, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, mbajti një fjalë të shkurtër ku falënderoi asamblistët që ishin të pranishëm dhe akuzoi opozitën për bllokim të procesit të kuvendit komunal.

“Fatkeqësisht, opozita edhe një herë po e pengon zhvillimin e qytetit. Shpresoj që në mandatin e ardhshëm të kemi një shumicë më të madhe që këto bllokime të mos ndodhin më,” u shpreh Rama.

Seanca u mbyll pa votim për projektbuxhetin e vitit 2026./Kosova.info/


Go to TOP