SBAShK-u ftesë publike Nagavcit, përmendin edhe veprimet sindikale
Sindikata e Bashkuar e Arsimit i ka drejtuar ftesë publike ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci për takim, për të cilin thonë se po e presin tash e dy vite.
Përmes letrës publike që kjo sindikatë i ka përcjellë medieve thonë se qëllim e kanë informimin për shqetësimet sfidat dhe kërkesat legjitime të anëtarësisë së tyre.
“Në vend të vullnetit për takime e bashkëbiseda në shërbim të arsimit, ju ministre keni vazhduar me qasjen e gabuar ndaj dialogut dhe me arsyetime të njëjta e të paqëndrueshme se gjoja keni shumë angazhime në Kosovë dhe jashtë vendit e nuk po gjeni kohë tani e dy vite për takim me SBASHK-un”, thuhet ndër të tjera aty.
Sipas tyre, shqetësimet dhe kërkesat e anëtarësisë janë shtuar, prandaj thonë se janë të obliguar edhe t’i tregojnë ato.
“Këtë ftesë publike nuk po e bëjmë sa për të pirë nga një kafe e për të bërë fotografi, por për të bashkëbiseduar për të gjitha çështjet e ngritura nga punëtorët arsimor. Po e bëjmë këtë ftesë publike edhe për t’i treguar opinionit se ne jemi për dialog dhe për angazhime të përbashkëta në shërbim të arsimit dhe për këtë ua kemi drejtuar gjithë ato shkresa në adresën tuaj dhe të shefes së kabinetit tuaj, por juve ju mungon ky vullnet”, thuhet tutje në këtë kërkesë publike që SBASHK-u i ka drejtuar ministres Nagavci.
Nga SBASHK-u thonë se mbajtjen e një takimi e kërkuan edhe nga Komisioni për Arsim ku do të ishin të pranishëm edhe ata në mënyrë që diskutoheshin hapur kërkesat e tyre.
“E kundërta e bashkëbisedave, takimeve dhe dialogut, janë veprimet sindikale dhe kërkesat për to janë duke u shtuar”, kanë thënë ata.