Samiti i Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, mbërrijnë liderë evropian
Kryetarë shtetesh dhe qeverish së bashku me krerët e institucioneve kryesore evropiane dhe ndërkombëtare kanë mbërritur në Tiranë në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të zhvillojë punimet nesër në Tiranë.
Përveq presidentit ukrainas, tashmë kanë mbërritur në Tiranë edhe presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola, presidentja e Moldavisë Maia Sandu, si dhe kryeministri i Holandës Dick Schoof, të cilët janë pritur në aeroport nga ministri Gonxhja.
Samiti i Tiranës zhvillohet në një kohë kur Evropa ndodhet në një pikë kritike. Një luftë vazhdon në krahun e saj lindor. Tensionet po rriten globalisht. Kërcënimet hibride, shtrëngimi ekonomik dhe ndërprerjet teknologjike po testojnë qëndrueshmërinë demokratike dhe kërkojnë përgjigje më të koordinuara evropiane.
Në këtë kontekst, Komuniteti Politik Evropian shfaqet si një forum jetik për unitet – një forum që kalon kufijtë institucionalë dhe bashkon të gjithë kombet evropiane për të shkëmbyer ide, për t’u përballuar me sfidat e përbashkëta dhe për të hartuar një kurs të përbashkët përpara.
Në fokus të këtij samiti do të jetë siguria dhe qëndrueshmëria demokratike e Evropës, që përfshin mbështetjen për Ukrainën në përpjekjet e saj për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.
Tema të tjera të rëndësishme që do të trajtohen në tryeza të nivelit të lartë janë edhe: fuqizimi i konkurrencës dhe sigurisë ekonomike; migrimi, lëvizshmëria dhe fuqizimi i rinisë; vizioni, lidershipi, mënyrat e reja të veprimit për Evropën në një botë të re, raporton ATSH.
Po ashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka mbërritur në Shqipëri, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian që do të mbahet nesër në Tiranë.
Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu përmes rrjeteve sociale.
Edhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ka mbërritur në Tiranë i cili u prit në aeroport nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Në një postim në rrjetet sociale, Balluku shkruan, “Në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) sot dhe nesër do të jenë në Tiranë liderë nga i gjithë kontinenti. Pata nderin të pres në aeroportin ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev”, ka shkruar Balluku, ndërsa ka ndarë foto nga pritja në aeroport.”

47 liderë nga mbarë kontinenti mbërrijnë të enjten e të premten në Tiranë për të marrë pjesë në samitin e 6-të të Komunitetit Politik Evropian.
Këto dy ditë do të jenë të ngjeshura me takime, ndërsa edhe të shtunën e 17 majit kryeministri Rama do të ketë një agjendë të ngarkuar me presidentin francez Macron, raporton RTSH.
