Saliba rinovon me Arsenal deri në vitin 2030
Mbrojtësi i Francës, William Saliba, ka nënshkruar kontratë të re pesëvjeçare me Arsenal, ka njoftuar klubi londinez të martën.
Njëzet e katër vjeçari, i cili është bërë shtylla kryesore e mbrojtjes së ekipit të Mikel Arteta, do të qëndrojë te “Topçinjtë” deri në vitin 2030. Kontrata e tij e mëparshme skadonte në vitin 2027, ndërsa më herët kishte pasur interesim për të edhe nga Real Madrid.
Saliba ishte bashkuar me Arsenal në vitin 2019, por kaloi disa huazime para se të vendosej si titullar në sezonin 2022/23. Që atëherë, ai ka qenë pjesë kyçe e skuadrës që ka përfunduar tri herë radhazi në vendin e dytë të Premier League.
“E ndiej veten si në shtëpi këtu. Kemi ekip të mirë, staf të shkëlqyeshëm dhe trajneri është perfekt për mua. Jam shumë i lumtur dhe dua t’i jap edhe më shumë klubit dhe tifozëve”, është shprehur Saliba pas rinovimit.
