Sadiku: Inteligjenca Artificiale jep përgjigje, por karakteri ndërton suksesin
Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku gjatë një ligjërate para studentëve të UBT-së, ka trajtuar sfidat e arsimit në epokën e Inteligjencës Artificiale duke theksuar se roli i universitetit dhe i profesorit duhet të ndryshojë në një kohë kur dija është e qasshme përmes internetit dhe teknologjisë.
Sadiku ka thënë se sot studentët kanë smartphone, internet dhe mjete si ChatGPT në dispozicion, prandaj sfida kryesore e arsimit nuk është më vetëm transmetimi i informacionit, por zhvillimi i mendimit kritik, kureshtjes dhe karakterit.
Sipas tij, për dekada universitetet janë ndërtuar mbi idenë se profesori posedon dijen, ndërsa studenti shkon për ta marrë atë, por kjo qasje sot ka ndryshuar.
“Prandaj, ndoshta misioni i profesorit nuk është më të japë përgjigje. Është të bëjë pyetje studentit, t’ia zgjojë kureshtjen, t’ia sfidojë bindjet, t’ia ndërtojë karakterin dhe t’i japë guximin të mendojë ndryshe”, ka thënë Sadiku.
Ai ka ndarë me studentët dy mesazhe kryesore: të kërkojnë mundësi dhe të mos presin që ato t’u vijnë vetë, si dhe të zhvillojnë dashurinë për punën, një vlerë që sipas tij Inteligjenca Artificiale nuk mund ta zëvendësojë.
Sadiku ka theksuar se talenti mund të hapë dyer, por është karakteri ai që përcakton qëndrueshmërinë dhe suksesin afatgjatë.
“Inteligjenca Artificiale ka me të mësu me shkru, me programu, me analizu, me dizajnu e me zgjidh mijëra probleme. Por nuk ka me të mësu kurrë me e dashtë atë që e bën”, ka shkruar ai.
Në fund, ai u ka bërë thirrje studentëve që, pavarësisht profesionit që zgjedhin, të punojnë me përkushtim dhe përgjegjësi duke e parë punën e tyre si një mundësi për të krijuar vlerë për shoqërinë. /Kosova.info/
